Pandemia ka detyruar një pjesë të bizneseve me pronarë apo bashkëpronarë të huaj të mbyllin aktivitetin e tyre. Të dhënat e fundit të INSTAT zbulojnë se vitin e kaluar, ky numër subjektesh ra në 6035, nga 6443 në vitin 2019.
Sipas ekspertit kontabël, Artan Xhiani, i cili është në kontakt të vazhdueshëm me sipërmarrje të huaja, arsyet lidhen më së shumti me kufizimin e lëvizjes dhe pasiguritë që shoqëruan veçanërisht fillimin e pandemisë.
Ndër vendet e origjinës së pronarëve të huaj, Italia bie në sy si vendi që ka pasur rënien më të fortë të numrit të bizneseve aktive. Sipas Xhianit, anëtar i dhomës së tregtisë Confindustria Albania, bëhet fjalë vetëm për një mbyllje momentale.
Sektorët ku janë mbyllur më së shumti bizneset e huaja i takojnë fushës së tregtisë, industrisë përpunuese dhe shërbimeve. Por, ka pasur edhe sektorë si ndërtimi dhe teknologjia e informacionit, që kanë përfituar nga zhvillimet e fundit, duke rritur prezencën në vendin tonë. /a2news