Pas vendimit të Gjykatës federale Administrative në Gjermani për t’u lejuar qyteteve të mëdha ndalimin e qarkullimit të automjeteve me naftë, janë shtuar kërkesat ndaj industrisë së automjeteve për modifikimin e teknikës së motorëve “diesel”.
Reagimet ndaj lëvizjes së Gjykatës federale Administrative kanë qenë të mëdha, sepse ndalimi i hyrjes së automjeteve me motorë më të vjetër “diesel” në qendrat e qyteteve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit, do të prekte jo vetëm personat privatë, por edhe zanatçinjtë gjermanë, që përdorin më së shumti mjete të tilla.
Një pjesë kërkon që përmirësimin e motorëve ta marrë përsipër vetë industria e automjeteve si dhe Shoqata gjermane e Zanatçinjve. Edhe politika ka reaguar në këtë drejtim.
Unioni Kristian-Social u shpreh kundër ndalimit të automjeteve dhe iu drejtoi një apel koncerneve të huaja të makinave në vend që të japin kontributin e tyre. Debati mbi këtë çështje ka bërë që të ketë rënie të mëdha të çmimeve të automjeteve “diesel”, një pjesë e mirë e të cilave po shitet në vendet europiano-lindore.
Vitin që shkoi pati një rritje të ndjeshme të shitjeve krahasuar me 2016-n, me rreth 233 mijë automjete “diesel” të shitur jashtë Gjermanisë, sidomos në Europën Lindore, thotë revista gjermane “Java ekonomike”. Rritje të madhe ka shënuar sipas saj shitja e automjeteve “diesel” drejt Shqipërisë, Kosovës, Rumanisë dhe Sllovakisë.