Ndalimi i vizave për shqiptarët? Përdorim politik në Holandë

Studiueses Nevenka Tromp iu kërkua nga autoritetet holandeze që të shkruante një libër për akademinë e policisë, që do ta ndihmonte për të menaxhuar situatën e krijuar në atë kohë.

Në vitet ‘90, kur u shpërbë ish-Jugosllavia, mediet më të mëdha holandeze i kushtonin vëmendje grupeve të fuqishme kriminale nga këto shtete.  Studiueses Nevenka Tromp iu kërkua nga autoritetet holandeze që të shkruante një libër për akademinë e policisë, që do ta ndihmonte për të menaxhuar situatën e krijuar në atë kohë.

Duke folur për shqiptarët, Tromp thotë se deputetët që kërkojnë rikthimin e vizave me Shqipërinë,  nuk kanë fakte konkrete që bazohen në studime serioze mbi mënyrën se si funksionojnë dhe sa të shtrira janë grupet kriminale shqiptare, raporton ATA.

“Interesantja që po ndodh tani në debatin politik brenda parlamentit holandez, është që po i jepet shumë vëmendje krimit të organizuar shqiptar në Holandë. Por në të njëjtën kohë, është gjithnjë toni politik, në kuptimin që ngaqë hapëm kufijtë me Shqipërinë, po vijnë gjithë këta kriminelë në vendin tonë e po e bëjnë shoqërinë të pasigurt. Nuk besoj se është argument serioz. E besoj që përdoret për qëllime politike. Për partitë që nuk duan hyrjen e anëtarëve të rinj në BE”, tha Nevenka Tromp, studiuese dhe pedagoge.