NATO reagon kundër Rusisë, mbështet SHBA-të

Stoltenberg tha se të gjithë aleatët janë dakord për rëndësinë e Marrëveshjes për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme dhe se SHBA-të kanë përmbushur kërkesat që dalin nga kjo marrëveshje

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme ka akuzuar Rusinë duke u shprehur se “Problemi është në sjelljet e Rusisë, e cila ka shkelur me vite këtë marrëveshje”, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg në një konferencë për media të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, tha se të gjithë aleatët janë dakord për rëndësinë e Marrëveshjes për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme dhe se SHBA-të kanë përmbushur kërkesat që dalin nga kjo marrëveshje.

“Ndërkaq jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për sjelljet e Rusisë. Problemi është në sjelljet e Rusisë, e cila ka shkelur me vite këtë marrëveshje”, është shprehur Stoltenberg, duke rikujtuar se kjo çështje është sjellë në rend të ditës edhe në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s dhe në vizitën e tij në Washington.

“Nuk duam një luftë të re të ftohtë dhe një garë të armatimit”, tha ai.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ishte shprehur se shteti i tij do të tërhiqet nga “Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme” të nënshkruar me Rusinë.

“Ne ishim pala që mbetëm në marrëveshje dhe që e respektuam atë, por Rusia për fat të keq nuk e respektoi këtë marrëveshje dhe për këtë arsye do të anulojmë dhe do të tërhiqemi nga marrëveshja”, ishte shprehur Trump.

Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, e cila ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve në Evropë dhe në Lindjen e Largët, u nënshkrua në vitin 1987 në Washington mes SHBA-ve dhe Rusisë. Marrëveshja ndalon që Rusia dhe SHBA-të të blejnë, prodhojnë apo testojnë raketa me rreze 300-3400 milje që lëshohen nga toka. SHBA-të shpesh e akuzonin Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje.