Nafta arrin tjetër rekord në tregun vendas, kërcen në 250-260 lekë për litër

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord mëngjesin e të mërkurës, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej gati 250 lekë për litër. Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me shumicë e pakicë në vend, një litër naftë shitej me 249 lekë, nga 230 lekë ditën e…

Çmimet e naftës kanë shënuar një tjetër rekord mëngjesin e të mërkurës, duke arritur në nivele të papara ndonjëherë prej gati 250 lekë për litër.

Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh i tregtimit me shumicë e pakicë në vend, një litër naftë shitej me 249 lekë, nga 230 lekë ditën e ndjeshme.

Në disa pika të tjera tregtimi të operatorëve të tjerë, nafta tregtohet edhe me 260 lekë për litër, si psh Gega Oil, apo Start e Alpet.

Brenda një javë, që nga e enjtja e javës së kaluar, çmimi i naftës është rritur me 4 herë.

Vetëm të mërkurën e një jave më parë nafta tregtohej me 192 lekë, pra është rritur me 57 lekë, ose 30%.

Në krahasim me mesataren prej 170 lekë për litër që ishte gjatë vitit 2021, nafta në vend është shtrenjtuar me gati 50%.

Aktorët e tregut pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit.

Krahas shtrenjtimit të naftës në bursa, që arriti të mërkurën mbi 130 dollarë për fuçi, nga 90 dollare ne dhjetor, nafta është ndikuar dhe nga zhvlerësimi i dollarit në vend, që është monedha më të cilin blihet ky produkt. Dollari arriti në 117 lekë të martën, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 106 lekë që ishte në fillim të janarit.

Me çmimet e karburanteve që kanë kapur majat, shqiptarët pritet të paguajnë shumë më teper për të udhëtuar, si përmes mbushjes së makinave të tyre, ashtu dhe indirekt në kostot e transportit e produkteve të tjera të lidhura me arin e zi, minimalisht 300 milione euro me shume.