Musa show, Nigeria mposht Islandën, feston edhe Argjentina

Nigeria mposht Islandën, mban gjallë shpresat e Argjentinës

Nigeria ka mposhtur Islandën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e dytë të grupit D, një rezultat ky që lë totalisht të hapur mundësitë e kualifikimit për të tre skuadrat.

Pjesa e parë ishte e balancuar, me Islandën disi më kërkuese, ndërsa në 45-minutëshin e dytë, ishin nigerianët që arritën të dërgojnë dy herë topin në rrjetë.

Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim pa gola, takimi është zhbllokuar katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë, me Musa që ka shënuar në të 49-ën.

Sulmuesi 25-vjeçar i CSKA-së së Moskës ka qenë protagonist edhe në të 75-ën, kur ka shënuar edhe golin e dytë dhe të fundit të ndeshjes. Islanda ka patur mundësi të ngushtojë diferencat në minutën e 83-të, por Sigurdsson ka gabuar penalltinë që mund të kishte rihapur takimin.

Ky rezultat natyrisht që i shkon më shumë përshtat Argjentinës, e cila rikthehet edhe njëherë të shpresojë për një kualifikim të mundshëm në fazën e 1/8-ave. Tani skuadra e Sampaolit ka nevojë për një fitore bindëse ndaj Nigerisë, për t’u renditur e dyta në grup.

Nga ana tjetër Islanda humbi një mundësi të shkëlqyer për të prekur kualifikimin që sot, pasi mund të shkëputej nga Argjentina dhe të shpresonte për të paktën një barazim në ndeshjen e fundit.