Mundësia “Brexit” në tregtinë Turqi-Mbretëri e Bashkuar

"Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, pas largimit nga BE-ja është e gatshme të punojë nga afër me qeverinë turke për të zhvilluar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, Mbretëri e Bashkuar-Turqi", tha Gaunt

Në programin e Presidencës së Turqisë për Performancën 100 ditore ku thuhet se do të zhvillohen punime për forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar pritet që për Turqinë të krijohen mundësi të reja në investimet e tregtisë dhe të ndërsjella pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (BE).

Kryetari i Dhomës Britanike të Tregtisë në Turqi (BCCT) Chris Gaunt, në një prononcim për Anadolu Agency (AA), programin e punimeve për 100 ditët e ka vlerësuar si “objektiv për kryerjen e punimeve për forcimin e bazës së marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar pas daljes nga Brexit”.

Ai tha se çdo bashkëpunim i ri rrit motivimin për të forcuar lidhjet mes Turqisë dhe Britanisë. Gaunt tha se dëshirojnë që pas procesit Brexit të sigurojnë në një mënyrë të afërt vazhdimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

“Shifrat e fundit të tregtisë reciproke të BCCT tregojnë se marrëdhëniet tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë janë në rritje. Tregtia e mallrave dhe e shërbimeve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Turqisë ka qenë 18.2 miliardë paund (rreth 23 miliardë dollarë) duke shënuar rritje me 14.6 për qind vitin e kaluar në krahasim me shifrat e një viti të mëparshëm”, tha Gaunt duke shtuar se tregtia në tremujorin e dytë të vitit mes dy vendeve ka qenë i suksesshëm.

Mbretëria e Bashkuar është e gatshme për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë

Ai tha se shifrat janë përpara vëllimit tregtar prej 20 miliardë dollarësh të vendosur më parë mes dy vendeve. Gaunt thotë se mund të rritet edhe më shumë niveli i suksesit në marrëdhëniet ekonomike duke rritur volumin e tregtisë dhe investimeve, nxitjen e tregtisë pa dogana dhe pengesa si dhe duke rrritur nivelin e financimit të eksporteve.

“Me Turqinë dëshirojmë të vazhdojmë marrëdhëniet e forta të tregtisë dhe investimeve edhe pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Kur shikojmë për të ardhmen, janë të pranishme mundësi të qarta që të ruajë dhe forcojë marrëdhëniet tona pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE dhe pas formimit të një politike të pavarur tregtare. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, pas largimit nga BE-ja është e gatshme të punojë nga afër me qeverinë turke për të zhvilluar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, Mbretëri e Bashkuar-Turqi”, thekson Gaunt.

Ai vuri theksin se krahas investimeve në fushat e shëndetësisë, mbrojtjes dhe energjisë mund të forcohen lidhjet tregtare edhe me punimet e përbashkëta që mund të zhvillohen në investimet e infrastrukturës në vendet e treta.

Për 6 muaj, vëllimi tregtar 10.1 miliardë dollarë

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë, vëllimi i jashtëm tregtar mes Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar ka arritur në rreth 10.1 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit. Eksportet e Turqisë në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kësaj periudhe, kanë qenë rreth 5.2 miliardë dollarë, ndërsa importet 4.8 miliardë dollarë.

Britania nëpërmjet një referendumi të mbajtur në qershor të vitit 2016 vendosi të largohet nga BE-ja. Në referendum 52 për qind votuan pro largimit ndërsa 48 për qind ishin kundër. Më 29 mars të vitit 2017, Britania nisi zyrtarisht procesin e largimit në kuadër të nenit 50 të Marrëveshjes së Lisbonës.