MPB e Maqedonisë së Veriut konfirmon se policia austriake ka kërkuar bashkëpunim

"Policia austriake, përmes Europol-it, ka paraqitur një kërkesë për bashkëpunim dhe informacione në lidhje me këtë rast dhe Sektori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar po vepron menjëherë", thonë nga MPB

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut në lidhje me pretendimet se “një nga sulmuesit në sulmin e mbrëmshëm terrorist në Vjenë është shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha se policia austriake paraqiti një kërkesë për bashkëpunim në lidhje me këtë rast, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Policia austriake, përmes Europol-it, ka paraqitur një kërkesë për bashkëpunim dhe informacione në lidhje me këtë rast dhe Sektori për Bashkëpunimin Policor Ndërkombëtar po vepron menjëherë”, thonë nga MPB-ja në një bisedë telefonike për AA.

Disa media të Maqedonisë së Veriut raportuan se ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se “sulmuesi i vrarë ka rrënjë nga shteti ballkanik i Maqedonisë së Veriut” dhe se “më herët ishte dënuar sipas një ligji që ndëshkon anëtarësimin në organizatat terroriste”.

Sipas informatave të deritanishme, 4 persona janë vrarë në sulmin e mbrëmshëm në Vjenë, përfshirë sulmuesin, ndërsa 15 persona të tjerë u plagosën.