Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore, si paraqitet situata në vend

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore ka përfshirë të gjithë territorin e vendit gjatë orëve të fundit. Reshjet e dendura të dëborës në zonat malore të Dibrës gjatë orëve të para të mëngjesit, kanë bllokuar rrugën e Arbrit.

Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Tiranës të përdorin rrugën alternative, aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz.

Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes me shpejtësinë.

Vijon pezullimi në 2 shkollat në Lezhë, oborret e të cilave ishin të mbuluara nga uji një ditë më parë. Në Shkodër, sipas të dhënave të fundit, sipërfaqja totale e përmbytur është 1100 Ha, e pandryshuar nga një ditë më parë.

Në rrugën e Obotit po operon një mjet i lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë. Akset rrugore në rrethin e Pukës nuk kanë probleme, në Qafë Mali ka prezencë të borës me trashësi rreth 5cm, pa shkaktuar probleme për qarkullimin e mjeteve.