Monika Kryemadhi: Ekonomia është marrë peng

"Do ta kthejmë Shqipërinë në ‘shtëpinë e investimeve"

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim nga Durrësi deklaroi se me ardhjen e partisë së saj në pushtet Shqipëria do të kthehet në ‘shtëpinë e investimeve’.

Gjatë fjalës së saj teksa u prezantua programi i LSI për qytetin bregdetar, Kryemadhi tha se investitorët e huaj janë përzënë nga Shqipëria, ndërsa shtoi se përgjatë këtyre viteve të qeverisjes nga Rama nuk ka pasur investime të reja. Ajo theksoi se porti i Durrësit do të jetë një stacion lider në rajon.

Ndër të tjera Kryemadhi tha se ekonomia shqiptare është ‘marrë peng’ nga kjo qeveri.

“Ndjekja juaj e këtij projekti, duke parë me të mirat dhe të këqijat, kemi një produkt që është i prekshëm. Tashmë këtu në Durrës puna është gati. S’mund të themi se këtu nuk ka njerëz, por projekti është gati. Është me rëndësi që mos të krijojmë hapësira që elitën e Durrësit, mos ta largojmë. Në mënyrë të tillë që të nxisim zhvillimin. Ky projekt për zonat e lira e kthen Durrësin në një qytet lider në rajon. Durrësi me një port të tillë, e bën atë lider në rajon. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë mundësi për të paguar, ne kemi mundësi që të kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e investimeve, jo vetëm të huaj, por dhe vendase. Ekonomia është tregu i lirë dhe një ekonomi e çliruar nga monopolet do të ishte një avantazh për të krijuar investime dhe punësim të mire paguar. A është e vërtet që në Shqipëri s’ka investime të huaja madhore? Përveç TAP dhe disa investimeve të tjera, investimet e tjera janë zero. Kjo është e vërtetë, mjafton që të shohim se çfarë ka ndodhur me rastet e investitorëve të huaj. 25 prilli do t’i japë fund kësaj lloj sjellje me investitorët. Duke krijuar një hapësirë me zonat e lira, do krijojmë këtë proces, për të mos përplasur investitorët me pronarët fiktivë apo ata të ligjshëm. Janë me mijëra vende pune që nuk janë hapur. Të gjithë e mbajnë mend premtimin për 300 mijë vende të lira punë, që s’u mbajtën, por janë 600 mijë shqiptarë të larguar. Ne përmes 5 pikave kemi marrë angazhimin tonë, që Shqipëria të jetë jo vetëm shtëpia e investimeve, por të japë hapësira. Siç është marrë peng ekonomia e Durrësit, është marrë dhe ekonomia e të gjithë shqiptarëve.”, tha Kryemadhi.