Moldavi, mijëra njerëz në protesta për bashkim me Rumaninë

Demonstruesit me duartrokitje përshëndetën disa qindra rumunë të cilët iu bashkuan protestës pas një marshimi 1300 kilometrash i cili filloi më 1 korrik në Rumani

 Mijëra njerëz u mblodhën sot në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinjev, që përmes protestave të bëjnë thirrje për ribashkim me Rumaninë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Demonstruesit mbanin flamuj rumun dhe moldav, të cilët janë mjaft të ngjashëm dhe brohorisnin “Unitet” dhe “`Bessarabia, tokë rumune”, duke përdorur emrin e dikurshëm të Moldavisë.

Moldavia u bashkua me Rumaninë në vitin 1918, por në vitin 1940 u aneksua nga Bashkimi Sovjetik. Ajo në vitin 1991 shpalli pavarësinë.

Demonstruesit me duartrokitje përshëndetën disa qindra rumunë të cilët iu bashkuan protestës pas një marshimi 1300 kilometrash i cili filloi më 1 korrik në Rumani.

Këtë javë për disa ditë ishte ndaluar hyrja për rumunët në Moldavi me pretendimet se paraqesin kërcënim për rendin dhe paqen publike.