Mjeku i QSUT: Edhe pacientët e tjerë të prekur nga Covid-19 do lënë së shpejti spitalin

Kalo u shpreh se jo të gjithë pacientët e shtruar tek Infektivi kanë ecur mirë, dhe katër prej tyre janë në gjendje të rëndë në terapi intensive, por ka nga ata që pritet të lënë spitalin.

Mjeku i Spitalit të Infektivit në QSUT, Tritan Kalo, ka deklaruar se shumë pacientë të tjerë të infektuar me COVID-19 do të lënë shumë shpejt spitalin.

Në një lidhje telefonike me emisionin “Kjo Javë”, në ‘News24’, Kalo u shpreh se jo të gjithë pacientët e shtruar tek Infektivi kanë ecur mirë, dhe katër prej tyre janë në gjendje të rëndë në terapi intensive, por ka nga ata që pritet të lënë spitalin.

“Do dalin shumë së shpejti, dhe të tjerët nuk kanë plotësuar akoma atë kursin 10 ditor të trajtimit. Një pjesë e tyre janë në gjendje të mirë klinike. Jo të gjithë ata që kanë ardhur në spital kanë ecuri të mirë. Katër prej tyre janë në terapi intensive. Janë rëndë, por shpresojmë që të kemi maksimumin e dobishmërisë në trajtimin e tyre. Vetëm një në gjashtë të infektuar kanë të detyrueshme spitalin, për shkak të temperaturës, kollës, frymëmarrjes, pjesa tjetër trajtohen në shtëpi. Tani preken të gjithë, se është krijuar koncepti i gabuar sikur preken vetëm të moshuarit dhe të sëmurët kronikë”, u shpreh Kalo.

Pamjet vijnë në kohën kur në Shqipëri ka hyrë në zbatim ligji i luftës. Nga dita e sotme, ora 13:00 e deri të hënën në orën 05:00 është e ndaluar çdo lloj lëvizjeje me këmbë apo makinë. Qytetarët duhet të qëndrojnë brenda, ndërsa në rrugë ka dalë Ushtria dhe Policia. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se për të ruajtur rendin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, do të përdoret edhe forca bashkë me gazin lotjsjellës. Tashmë orari i ri i lëvizjes edhe për javën e ardhshme është 05:00 me 13:00. Ndërkaq numri i të prekurve ka shkuar në 76, dy prej tyre të shëruar dhe dy viktima.