Mjekët sugjerojnë evitimin e diellit dhe alkoolit, bëni kujdes nga vapa

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, tregon se çdo ditë në urgjencën e spitalit kërkojnë ndihmë rreth 100 persona me çrregullime të shkaktuara nga temperaturat e larta.

Nëse mezi e keni pritur verën dhe plazhin, bëni kujdes nga vapa dhe ekspozimi në diell. Çrregullimet shëndetësore nga temperaturat e larta shkaktojnë dhe humbje jete, shkruan A2news.

Në ditët më të nxehta të verës, ku temperaturat maksimale kanë arritur 38 gradë dhe në diell 44  gradë, mjekët këshillojnë shmangien e daljeve në vapë.

Kjo vlen për të gjitha moshat, por në mënyrë të veçantë për fëmijët dhe të sëmurët kronikë.

Shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo, tregon se çdo ditë në urgjencën e spitalit kërkojnë ndihmë rreth 100 persona me çrregullime të shkaktuara nga temperaturat e larta. Por, sipas saj, nëse të rinjtë i ndihmon mosha për të përballuar të nxehtin, konsumi i alkoolit në vapë mund t’u shkaktojë pasoja fatale

Gjatë muajit qershor, krahas urgjencave në zonat bregdetare janë regjistruar edhe humbje jete për shkak të infarkteve kryesisht te të moshuarit. Mjekët rekomandojnë që moshat e treta, të sëmurët kronike dhe fëmijët nuk duhet të ekspozohen në diell pas orës 10 të mëngjesit deri në orën 18:00 të pasdites. Ndërsa për personat që vuajnë nga sëmundjet e shëndetit mendor dhe parkinsoni nuk rekomandohet plazhi dhe as qëndrimet e gjata ekspozimet në diell.