Miqësia e ngushtë familjare bashkon prej vitesh veriun me jugun

Një emërim në kohën e diktaturës sjell në Shkodër një ushtarak të nderuar nga Vlora së bashku me bashkëshorten e tij. S’dihej asokohe se për sa kohë do vijonte ky qëndrim punësimi, por diçka dihej me siguri, njohje të reja do nisnin, bashkëpunime të reja, rrugëtime të reja… e natyrshëm një jetë e re…  

Bashkëpunimet e reja sollën një lidhje dhe miqësi familjare, një ushtarak i një grade të lartë me një bashkëshorte të nderuar, një arsimtare profesioniste krijojnë një miqësi tejet të sinqertë me një familje shkodrane, e traditës dhe e kulturës, që natyrshëm mbi të gjitha e karakterizonte fisnikëria dhe dinjiteti qytetar.

Vizitat e vijueshme reciproke mes dy familjeve do sillniN një gjallëri dhe harmoni të admirueshme, ku:

respekti,

mirënjohja,

përkrahja dhe mbështetja shpirtërore,

solidariteti,

përkushtimi në dhënien e shërbimeve të larmishme,

sinqeriteti,

largpamësia,

modestia,

thjeshtësia,

eleganca dhe finesa në komunikim,

mikrpritja,

mirëkuptimi… të tilla virtyte njerëzore do forconin akoma më shumë vullnetin e mirëfilltë, shpirtin e gjerë dhe mendjen largpamëse në thellimin akoma më shumë të këtyre raporteve familjare…

S’do ishin pak, plot 13 vjet që do shënjonin një epokë të lavdishme në kryeqytetin verior të Shqipërisë, në Shkodër të kësaj familjeje virtuoze vlonjate, e cila rrënjët e familjes së saj do i hidhte pikërisht në Shkodër, e ku natyrshëm edhe ndihmesën e parë do e merrte pikërisht në gjirin e Shkodrës dhe të miqësisë së ngushtë të familjes shkodrane.

Djali i tyre i parë në Shkodër do vinte në jetë, dhe hapat e tij të parë të jetës do i hidhte pikërisht këtu, në këtë qytet. Këtu do shihte fytyrat e para njerëzore, këtu do niste edhe arsimimin e tij fillestar, këtu do hidhte edhe hapat e tij të parë të rrugëtimit jetësor… Këtu do niste të buzëqeshte… të qante… të luante… të ecte… të argëtonte… të mërzitej… të gjallëronte… të hidhte shtatin e tij… Këtu do niste natyrshëm të miqësohej edhe me fëmijët e familjes shkodrane, miqësia me të cilën tashmë kishte lëshuar rrënjë të hekurta.

Vizita e miqve vlonjatë për familjen Shkodrane në shtëpi merrte një tjetër domethënie… një tjetër peshë… një tjetër kuptim… Çdo sjellje dhe veprim buronte nga thellësia e shpirtit… Bisedat bëheshin tepër të ngrohta, plot gas e hare, gostitja tejçonte një tjetër aromë, një tjetër frymë, sofra shkodrane mbarte e përcillte një tjetër atmosferë, ajo ishte sa e thjeshtë aq edhe e spikatur, sa lozonjare aq edhe e mirëmodeluar, sa bujare aq edhe plot shije dhe aroma kundërmuese, ku natyrshëm s’kishte si të mungonte as peshku i krapit në tavë as byreku me perime as bakllavaja dhe tespixheja të përgatitura me plot përkujdesje…  

Kjo miqësi e ngushtë s’do mbetej e kufizuar vetëm brenda dy familjeve, por do shtrihej akoma edhe më gjerë… edhe mes rretheve familjare të dy familjeve, gjë e cila do sillte një zgjerim të pakufijshëm të shpirtrave dhe mendjeve fisnike shkodrane e vlonjate, e për rrjedhojë shpirtrat dhe mendjet shqiptare do unifikoheshin në përjetësinë e vlerave njerëzore…

Kthimi i familjes vlonjate në vendlindjen e tyre në Vlorë do sillte tashmë një tjetër dimension të vijimësisë së kësaj miqësie të ngushtë.

Vajtje – ardhjet mes tyre do vijonin të shpeshtoheshin akoma më shumë në sajë të kësaj miqësie të ngushtë. Pavarësisht distancës së largët kilometrike, familja shkodrane tashmë kishte një derë ta hapur në Vlorën e flamurit, në Vlorën heroike.

S’do ishin të pakta vizitat, tashmë në kryeqendrën e Jugut, në Vlorë. Ajo ngrohtësi shkodrane do gërshetohej me ngrohtësinë vlonjate, pasi emërues i përbashkët qenë vlerat e larta njerëzore që këta familje përcollën edhe tek fëmijët e tyre.  

Do ishte këtë herë mikëpritja dhe ngrohtësia vlonjate që do fitonte zemrat dhe mendjet e shkodranëve, do i përpunonte akoma më tepër ato, do u jepte një tjetër ngjyrë, një tjetër aromë, një tjetër kënaqësi, mbi të gjitha mbresa të pafundme të ngjyrave të Vlorës ylberiane…

Dialekti vlonjat do pushtonte menjëherë mendjen dhe shpirtin shkodran, ku fjalët e para përshëndetëse “vëlla” e “motër” do nguliteshin thellë në mendjen dhe shpirtin shkodranë për t’u ruajtur përjetësisht, pasi s’mund të kishte sinqeritet më të madh dhe bujari më të gjerë se të të quante “vëlla” apo “motër” duke të fituar zemrën, duke të çelur shpirtin për të lidhur një “besë” të vërtetë dhe fisnike të mbështjellë me një sinqeritet të paparë… Kjo vinte natyrshëm si burim dhe frymëzim edhe i kësaj miqësie të ngushtë mes fy familjeve…

Në jetë kish ardhur tashmë edhe djali i dytë i familjes vlonjate. Një tjetër gëzim i papërshkueshëm, një tjetër emocion, një tjetër hare, një tjetër gjallëri, një tjetër impuls i qe shtuar familjes vlonjate. Kjo zemërbardhësi përcillej dhe ndahej edhe me familjen shkodrane. Fëmijët e dy familjeve tashmë qenë bërë motra e vëllezër me njëri-tjetrin…

Vitet kalonin vrullshëm…

Familjet zgjeroheshin…

Jeta ofronte dimensione të shumta gëzimesh dhe hidhërimesh… Tashmë edhe në dekatat e demokracisë…

Vizitat familjare mes veriut dhe jugut shpeshtoheshin…

Ato çifte të reja që hodhën farëzat e kësaj miqësie të ngushtë familjare, sot gëzojnë në një moshë të thyer, me fëmijë të rritur, me nipër e mbesa, trashëgimtarë të familjeve përkatëse, por mbresat e kujtimet e asokohe mbeten përherë të pashlyeshme… Ato vijnë sot me të tjera ritme… të tjera ngjyra… Megjithatë akoma më domethënëse dhe plot peshë…

Një vizitë e një fundjave verore në Vlorën historike e kulturore, në Vlorën e gjallërisë dhe entuziasmit që sjell madhështia e një deti përtëritës që të duket sikur të mbërthen në gjirin e tij plot patos e krenari, natyrshëm rigjallëron në memorien njerëzore peshën e madhe që mbarte ajo kohë, pavarësisht kushteve dhe rrethanave në të cilat ndodhej vendi dhe për rrjedhojë edhe vetë familjet…

Është sërish ajo buzëqeshje e ngrohtë, fisnike, e shndritshme, rrezatuese, virtuoze, inspiruese, plot jetë e gjallëri e zonjës së shtëpisë dhe padyshim edhe e djemve të saj që të mirëpret sapo çel derën me po atë respekt, dashamirësi, mirënjohje e dashuri të pakushtëzueshme… Ajo jeton tashmë me kujtimet e bashkëshortit të saj të ndjerë, duke çuar në vend së bashku me dy djemtë e saj edhe amanetin që i la i shoqi para se të ndërronte jetë,

“Mbajeni përjetësisht miqësinë me familjen shkodrane”.

Mirëseardhje të përshpirtshme, shtrëngime duarsh të zjarrta dhe të ndjera, përqafime sa të ngrohta aq edhe përkëdhelëse e ledhatuese, fytyra të buzëqeshura, fjalë të arta të dalura nga thellësitë e shpirtrave që gufojnë veç mall… Njeriu s’ndjen ngopje kur mbërthehet nga dëshira për të shkëmbyer përvoja jete me të dashurit e zemrës së tij…

Mbremja vlonjate, sa çlodhëse aq dhe rrezatuese, plot gjallëri dhe harmoni, ku puhizat që sjellin valëzat e detit pushtojnë fytyrat e shndrritura të njerëzve nga ndriçimet masive anekend rrugëve, s’është çudi të ofrojë edhe nga ato takime, që sjellin njohje të reja, produkte të këtyre miqësive të hershme. Bashkëbisedimi merr të njëjtin ritëm, të njëjtën ngrohtësi, pasi sërish kujtimet të marrin me vete në retrospektivë…

Kënaqësi, respekt, mirënjohje, dashamirësi, frymëzime plot etje, shije dhe ëmbëlsi tejçojnë biseda të tilla të ngrohta, ku pavarësisht mungesës së drejtëpërdrejtë të asaj dëshmie të gjallë, janë nostalgjitë e prindërve që kanë përcjellur në memorien e brezave të rinj atë kulturë të magjishme…  

S’ka rëndësi nëse

do ushqehesh me krap apo gjel deti, me bakllava apo krem karamel, me qumësht apo me ndonjë pije tjetër freskuese…

S’ka rëndësi nëse

bashkëbisedon në dialektin shkodranë apo atë vlonjat…

S’ka rëndësi se

 në ç’moshë je…

Distanca kilometrike mes dy qyteteve, orët që përshkuajnë një udhëtim të tillë s’përbëjnë asnjë lloj barriere për t’u forcuar ditë – ditës, kohë pas kohe kjo lidhje e ngushtë dhe e sinqertë…

Ashtu sikurse çdo kënd i shtëpisë vlonjate buzëqesh dhe mirëpret me plot dashamirësi familjarët shkodranë, ashtu edhe çdo kënd i shtëpisë shkodrane padiskutim mirëpret dhe buzëqesh me po aq dashamirësi familjarët e nderuar vlonjatë…

Çdo gotë ujë që pihet, çdo lloj gatimi i realizuar me aq përkujdesje, çdo traditë dhe zakon, çdo buzëqeshje apo edhe çdo trishtim është i njëjtë, pasi është trualli që na bashkon, është gjuha që na identifikon, janë vlerat kulturore që na u ushqyen brez pas brezi… sepse, në fund të fundit të gjithë ne, mbartim në dejet tona “gjakun e shqiptarit” dhe “shqipen e kulluar”…