Ministrja Ibrahimaj: Rindërtimi në Shqipëri vazhdon me ritme të shpejta

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur interpelanca me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në lidhje me procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit të vitit 2019, raporton Anadolu.

Gjatë fjalës në seancën parlamentare, ministrja Ibrahimaj theksoi se rindërtimi vazhdon me ritme të shpejta, ndonëse sipas saj ka pasur dy kriza të njëpasnjëshme.

“Qeveria sigurisht e ka për detyrë t’i gjendet pranë çdo shqiptari, në çdo moment dhe kjo është ajo që ne bëmë. Nga ana tjetër gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë na ndihmuan jo vetëm në konferencën e donatorëve, por që prej ditëve të para në operacionet e kërkim-shpëtimit, në dhënien e granteve”, tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se në kushtet e emergjencës, Qeveria e Shqipërisë u angazhua tërësisht përmes mekanizmit të fondit rezervë të buxhetit të shtetit, duke ndërmarrë sipas saj një sërë masash të menjëhershme.

“Sot që flasim ne kemi një proces rindërtimi i cili po vazhdon me ritme të shpejta, ndonëse ka pasur dy kriza të njëpasnjëshme, pas situatës tragjike që u desh të përballonim. Tërmeti masiv i vitit 2019 ndikoi fort në pronën e mbi 200 mijë qytetarëve shqiptarë, ndikoi në aspektin social dhe ekonomik të vendit. Një ndër vlerësimet që u bë sapo ishte se tërmeti kishte shkaktuar një dëm total prej 1 miliard euro”, tha ajo.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se programi i rindërtimit ka në thelb të tij një dimension të qenësishëm social.

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku, e cila kishte kërkuar interpelancën tha se institucionet nuk kanë sot një bilanc dhe të dhëna konkrete se sa ka kushtuar ky proces.

“Unë shpresoj shumë që ky proces ne të na bëhet mësim për të ardhmen, që të rrisim transparencën, që të rrisim informacionin që u jepet qytetarëve”, tha Tabaku.

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri humbën jetën 51 persona, u plagosën qindra të tjerë dhe u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla dhe objekte të institucioneve.