Ministria e Financave bën të ditur buxhetin e krizës prej 12 miliardë lekësh

Kjo paketë siç e theksoi edhe kryeministri do të fokusohet tek shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla, por edhe për Ministrinë e Shëndetësisë që është në vijë të parë të frontit të luftës.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet një deklaratë për shtyp ka bërë të ditura ndryshimet që i janë bërë Buxhetit të Shtetit nga Akti Normativ i njoftuar prej kryeministrit Rama ditë më parë, teksa shpallte Planin e Garancisë Ekonomike për të përballuar situatën e koronavirusit.

Në total paketa financiare përmban 12 miliardë lekë për të suportuar ekonominë gjatë kësaj situate emergjence.

Kjo paketë siç e theksoi edhe kryeministri do të fokusohet tek shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla, por edhe për Ministrinë e Shëndetësisë që është në vijë të parë të frontit të luftës:

  • 6.5 miliardë lekë Fond për Paketën Sociale anti-COVID“ në mbështetje të punëmarrësve dhe/ose shtresave të tjera të prekura nga pezullimi i proçeseve të punës në shkallë vendi duke përfshirë shtresat në nevojë, personat që humbasin punët dhe komunitetet, që do të rezultojnë më të dëmtuar;
  • 2.5 miliardë lekë Fond në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Strukturave Spitalore, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore;
  • 1 miliard lekë në drejtim të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, për krijimin e hapësirës për financimin e shpenzimeve të domosdoshme me karakter të paparashikuar, për muajt në vijim;
  • 2 miliard lekë rialokim drejt një Fondi Emergjence për të siguruar furnizimin me ushqim të komuniteteve të caktuara, që do të rezultojnë të prekura nga pandemia, apo për familje me ndihmë ekonomike dhe pensionistë të vetmuar që do të kene nevojë për ndihmë direkte. Njëkohësisht, ky fond do të përdoret edhe për nevoja të ekipeve mjekësore, si në spitalet civile ashtu edhe në spitalin ushtarak. /SCAN