Ministri turk i mjedisit: Ka përfunduar 80 për qind e vlerësimit të dëmeve në zonat e tërmetit

Autoritetet kanë përfunduar 80 për qind të vlerësimit të dëmeve në zonën e tërmetit në Türkiyen jugore pas lëkundjeve të fuqishme të 6 shkurtit, njoftoi ministri i mjedisit i vendit, Murat Kurum, raporton Anadolu.

“Pjesa tjetër do të përfundojë shpejt në ditët në vijim”, tha Kurum, ministër i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve klimatike, për Deskun Editorial të Anadolu-s në provincën Adıyaman të goditur nga tërmeti.

Personel prej 7.300 personash po punojnë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmetet që tronditën 11 provinca.

Kurum tha gjithashtu se shkatërrime ose dëmtime janë raportuar në rreth 164.000 ndërtesa dhe 518.000 njësi individuale.

Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë, me qendër në provincën Kahramanmaraş, tronditën gjithashtu provincat Gaziantep, Hatay, Adıyaman, Malatya, Kilis, Adana, Diyarbakır, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ. Rreth 13,5 milionë njerëz u prekën nga tërmetet.

Shumica e ndërtesave të shkatërruara janë ndërtuar para vitit 1999, tha Kurum, duke shtuar se në këto ndërtesa nuk është kryer asnjë inspektim.

Ai tregoi gjithashtu një hartë të detajuar të linjës së prishjes që prek zonat në Adıyaman, duke thënë se autoritetet “do të shqyrtojnë cilësinë e tokës për lëngëzimin e lidhur me tokën” për të kuptuar shkatërrimin masiv në qendër të qytetit.

Më shumë se 43.000 njerëz kanë humbur jetën në tërmetet vdekjeprurëse në Türkiye, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit AFAD.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se Türkiye do të fillojë ndërtimin e më shumë se 200.000 shtëpive që në mars në zonat e shkatërruara nga tërmetet dhe do të përfundojë procesin brenda një viti.