Ministri turk i Mbrojtjes: Vazhdojmë mbështetjen për qeverinë legjitime në Libi

"Do të vazhdojmë të veprojmë në këtë mënyrë dhe shpresojmë të përmbushim detyrën që na është besuar", tha ministri Akar gjatë vizitës në Libi

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se vendi i tij vazhdon të mbështesë Qeverinë legjitime të Libisë, e cila njihet gjithashtu nga Kombet e Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

“Do të vazhdojmë të veprojmë në këtë mënyrë dhe shpresojmë të përmbushim detyrën që na është besuar”, tha Akar gjatë vizitës në Libi, ku ai gjithashtu vizitoi Komandën për Bashkëpunim të Sigurisë dhe Ndihmës së Trajnimit, e cila u formua në kuadër të marrëveshjes midis dy vendeve.

Pas inspektimit të veprimtarive stërvitore në Komandë, i shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Turke Yaşar Güler, ai mori pjesë në një drekë pune ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Katarit, Khalid bin Mohammad Al Attiyah dhe zëvendësministri libian i Mbrojtjes, Selahaddin Abdullah al-Nemrush.

Në fjalimin e tij drejtuar stafit të trajnimit, Akar përgëzoi trajnimin dhe bashkëpunimin shumë të suksesshëm të kryer në Komandën e Bashkëpunimit të Sigurisë, duke shtuar se këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Në periudhën e ardhshme, siç kemi bërë deri më tani, në përputhje me udhëzimet e Presidentit tonë, ne do të bëjmë gjithçka që armëpushimi të bëhet i përhershëm për hir të unitetit, integritetit, sigurisë dhe paqes në Libi. Në këtë drejtim, vëllezërit tanë nga Katari janë me ne. Ministri i Katarit ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme në këtë drejtim dhe vazhdon ta bëjë këtë. Ne besojmë se do të arrijmë rezultatet e dëshiruara, duke mbështetur vëllezërit tanë libianë në luftën e tyre të drejtë”, tha Akar.

Ai gjithashtu porosit stafin turk të trajnimit që të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre me vetëmohim dhe përkushtim.

“Turqia do të vazhdojë të mbështesë vëllezërit libianë, duke pasur parasysh 500 vitet e kaluara dhe kulturën tonë të përbashkët. Shpresoj se në fund të jemi të suksesshëm. Ka shumë koncepte të gabuara, keqdashje dhe ndërhyrje të ndryshme. Nuk do të heqim dorë nga këto sfida. Me mesazhin që Libia u përket libianëve, ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë legjitime të njohur nga OKB”, tha Akar.

Akar dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Güler arritën sot në Tripoli për të parë aktivitetet në bazë të marrëveshjes me Libinë. Turqia nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ushtarak dhe të Sigurisë me Qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Libisë, e cila ka legjitimitet ndërkombëtar, në nëntor të vitit të kaluar.