Ministri turk i Mbrojtjes takon zyrtarin e lartë të NATO-s

Hulusi Akar dhe Stuart Peach mbajtën takimin e tyre në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në kryeqytetin Ankara

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Turqisë Hulusi Akar sot u takua me kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s për të diskutuar zhvillimet e fundit në Mesdheun Lindor, Stuart Peach, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar dhe Stuart Peach mbajtën takimin e tyre në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në kryeqytetin Ankara.

Të dy palët diskutuan thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg për bisedime teknike midis Turqisë dhe Greqisë në mesin e tensioneve të shtuara.

Gjatë takimit, Akar tha se Ankaraja e mirëpret thirrjen e Stoltenberg për dialog dhe pret që vendet e tjera të përgjigjen me frymën e solidaritetit të NATO-s.

Takimi vjen pasi shefi i NATO-s njoftoi të premten se bisedimet kanë filluar midis Turqisë dhe Greqisë për të zgjidhur tensionet në Mesdheun Lindor.

Të enjten, Stoltenberg tha se Ankaraja dhe Athina kanë rënë dakord të hynin në bisedime teknike në NATO për të zvogëluar rrezikun e incidenteve dhe aksidenteve në Mesdheun Lindor, të cilat qeveria greke i mohoi më vonë.

Greqia ka hedhur poshtë eksplorimin e tanishëm të energjisë nga Turqia në rajon, duke u përpjekur të bllokojë territorin detar turk bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.

Turqia, vendi me vijën më të gjatë bregdetare në Mesdhe, ka dërguar anije shpimi për të kërkuar energji në shelfin e saj kontinental, duke thënë se Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë të drejta në rajon.