Ministri izraelit i Drejtësisë, Yariv Levin ka akuzuar administratën amerikane për bashkëpunim me protestuesit izraelitë kundër planit të qeverisë së tij për reforma në drejtësi, transmeton Anadolu.
Faqja hebraike e internetit “Walla” publikoi të hënën një video të ministrit Levin me rastin e një darke të dielën në mbrëmje me aktivistët ultra-ortodoksë duke thënë se “amerikanët janë në bashkëpunim me ta kundër (reformës gjyqësore)”.
Levin u dëgjua duke thënë se lëvizja protestuese ka “kontroll të plotë mbi shtypin” dhe ka ndikim në gjykatat, Prokurorinë e Përgjithshme dhe “të gjithë sistemin financiar dhe administratën amerikane që bashkëpunon me ta”.
Ai theksoi se është i gatshëm të luftojë për reformën gjyqësore dhe se uniteti në radhët e partisë Likud është i rëndësishëm për këtë dhe akuzoi opozitën se “nuk është e gatshme të bëjë kompromis” në tryezën e negociatave të organizuar nga presidenti, Isaac Herzog.
Djali i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair, akuzoi më parë administratën amerikane për mbështetjen e fshehtë të protestave për rrëzimin e babait të tij. Megjithatë, autoritetet amerikane hodhën poshtë akuzat.
“Çdo ide se ne përkrahim ose mbështesim këto protesta ose iniciatorët e tyre është plotësisht dhe demonstrativisht i rremë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.
Izraeli është përfshirë në trazira politike gjatë javëve të fundit lidhur me planet e qeverisë së Netanyahut për reformat gjyqësore. Opozita izraelite i sheh planet si rrëmbim të pushtetit në favor të autoritetit ekzekutiv.
Netanyahu, megjithatë, këmbëngul se planet e tij do të rrisin demokracinë dhe do të rivendosin ekuilibrin midis institucioneve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të qeverisë.
Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, u përkul para presionit dhe njoftoi ndërprerje të përkohshme të planeve. Pavarësisht vonesës, qeveria izraelite ende planifikon ta rikthejë projektligjin e diskutueshëm në Parlament në maj.