Ministri Cakaj takon përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

Cakaj theksoi se ky takim duhet të kuptohet si një proces i vazhdueshëm që ka për qëllim bashkërendimin e qëndrimeve politike dhe thellimin e marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka realizuar një takim me përfaqësuesit politikë dhe të institucioneve nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë diskutuar për disa çështje, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Cakaj dhe përfaqësuesit nga Lugina e Preshevës pas takimit mbajtën një konferencë të përbashkët për media, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit, mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë.

Cakaj theksoi se ky takim duhet të kuptohet si një proces i vazhdueshëm që ka për qëllim bashkërendimin e qëndrimeve politike dhe thellimin e marrëdhënieve midis Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ky takim vjen në një moment krejtësisht të veçantë ku thellimi i marrëdhënieve mes nesh është sa i domosdoshëm aq edhe i dobishëm, por natyrisht është edhe rrjedhojë e drejtpërdrejtë e detyrës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për komunikim të vazhdueshëm, veçanërisht me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Bashkëkombësit tanë në Serbi në përgjithësi dhe shqiptarët e Luginës në veçanti nuk janë thjesht një pjesë e vogël e kombit, por realisht janë një aset i vyer dhe i patjetërsueshëm i tij”, u shpreh ministri në detyrë Cakaj.

Ai theksoi se bashkërendimi i qëndrimeve dhe thellimi i bashkëpunimit është parakusht i mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe sipas tij avancimit të mëtejshëm të objektivave madhore

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, theksoi se “Shqipëria po na bashkon”.

“Ne mendojmë që është një fillim i mbarë, është një fillim i unitetit deri më tani i paparë në skenën politike në Luginën e Preshevës. Është një fillim i cili detajon kërkesat tona dhe konkretizon mundësitë për të ndihmuar shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe konkretisht me disa mekanizma”, tha Arifi.

Ndërkohë, nga temat e diskutuara në takim ishte edhe njohja e teksteve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe përfshirja proporcionale në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore në Serbi për shqiptarët e Luginës së Preshevës.