Ministri austriak: Shqipëria tejkaloi pritshmëritë, politikanët mos të vështirësojnë të ardhmen e vendit

Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Josef Moser, në përfundim të takimit me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të premten në Tiranë, bëri të ditur se bashkëpunimi mes dy vendeve është gjithnjë dhe më i ngushtë.

Ministri i Drejtësisë së Austrisë, Josef Moser, në përfundim të takimit me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të premten në Tiranë, bëri të ditur se bashkëpunimi mes dy vendeve është gjithnjë dhe më i ngushtë.

Sipas tij, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, që tejkalojnë pritshmëritë, sidomos në fushën e drejtësisë dhe për këtë duhet të vlerësohet nga të gjithë.

“Shqipëria ka bërë hapa shumë të mëdha përpara, hapa që tejkalojnë pritshmëritë, sidomos në fushën e drejtësisë. Ka bërë hapa konkretë për të minimizuar korrupsionin dhe për të rindërtuar sistemin e drejtësisë duke i dhënë pavarësi dhe duke larguar ndikimet negative që mund të ketë drejtësia nga politika. Këto masa të marra duhen vlerësuar, pavarësisht se cila parti apo cila forcë politike i ka ndërmarrë apo votuar. Këto janë masa që i nevojiten vendit dhe shtetit të së drejtës ligjore”, – tha Moser.

Ai bëri thirrje që forcat politike të drejtojnë vëmendjen e tyre drejt interesit të përbashkët të vendit, që është integrimi në Bashkimin Europian dhe vendimet duhet të jenë të drejtuara drejt këtij qëllimi, raporton ATA.

“Është një element qendror çështja e zgjedhjeve dhe njohja e rezultatit zgjedhor. Janë disa detyrime që lindin nga këto zgjedhje. Një nga detyrimet është se interesi i ndryshëm i politikës, duhet të jetë i shkëmbyeshëm dhe të ketë argument. Pastaj përmes negociatave të përbashkëta të arrihet një rezultat. Pikëpamjet e ndryshme të politikanëve duhet të drejtohen drejt interesit të vendit, jo në vështirësimin e situatës dhe të ardhmes së vendit. Duhet përpjekje e përbashkët për ta çuar vendin përpara dhe përpjekjet të jenë në qendër të bisedimeve parlamentare dhe diplomatike”, – tha Moser.

“Për mua është kënaqësi të jem në Tiranë. Kjo është e dyta herë brenda gjashtë muajve. Kjo vizitë lidhet edhe me faktin se Austria dhe Shqipëria kanë një miqësi shumë vjeçare dhe që po forcohet gjithnjë e më shumë. Ne kemi ndërmarrë bashkërisht masa të reja për të forcuar shtetin e së drejtës me qëllim që Shqipëria të realizojë ambicien për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian”, – tha ministri Moser.

Sipas tij, Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një proces i rëndësishëm për rritjen e besimit te drejtësia. “Projekti Vetting-ut ka nisur para disa kohësh dhe është parashikuar të vijoi deri në vitin 2020, por dhe përtej këtij viti. Vetingu është një proces, që rrit besimin te institucionet e Drejtësisë, pasi kërkon jo vetëm pastërtinë pasurore por dhe etike të gjyqtarëve, çka ndihmon për të krijuar një shtet etik dhe serioz në kuadër të ambicies për anëtarësimin në BE”, – tha Moser.

“Projekti EURALIUS V është një projekt tjetër për konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe ky projekt shkon në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës ligjore, por edhe te lufta kundër pastrimit të parave”, – tha ministri Moser.

Ai e vlerësoi projektin si një histori tjetër suksesi mes dy vendeve. “Një hap i mëtejshëm i Shqipërisë drejt BE dhe luftës ndaj korrupsionit. Një përpjekje serioze për të forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës e për rrjedhojë besimin e qytetarëve te drejtësia”, – tha ai.