“Mini-Shengeni” i Ballkanit, Rama në Ohër për takimin e dytë me Vuçiç dhe Zaev

Kryeministri Edi Rama udhëtoi këtë të shtunë, në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, për të marrë pjesë në samitin për zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian.

Gjatë mbrëmjes ai pati një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Është njoftuar se kryeministri Rama do të jetë i pranishëm në darkën e shtruar me këtë rast nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Ndryshe nga takimi në Novi Sad, në Ohër ka edhe dy përfaqësues të tjerë ballkanik, ministria e Ekonomisë së Malit të Zi  Dragica Sekulic, dhe kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdić.

Pas takimit të liderëve, do të vijojë mbledhja plenare ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen me përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, si Banka Evropiane për ndërtim dhe zhvillim, Këshilli për bashkëpunim rajonal, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe Banka Evropiane e Investimeve.

Sipas agjendës së shpërndarë nga Kryeministria, takimi zyrtar ditën e nesërme do të pasohet nga një konferencë për shtyp e parashikuar në orën 12:00. /A2News