Mike Pompeo: SHBA-të do të kërkojnë llogari nga vrasësit e Khashoggit

“Sekretari theksoi se SHBA-të do të kërkojnë llogari nga të gjithë ata që u përfshinë në vrasjen e Jamal Khashoggit. Arabia Saudite duhet të bëjë të njëjtën”, tha Nauert

Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo, u zotua se do të kërkojnë llogari nga ata që ishin përgjegjës për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pompeo realizoi një telefonatë me Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman, bëri të ditur zëdhënësja e Departamanetit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Sekretari theksoi se SHBA-të do të kërkojnë llogari nga të gjithë ata që u përfshinë në vrasjen e Jamal Khashoggit. Arabia Saudite duhet të bëjë të njëjtën”, tha Nauert.

Khashoggi, një shtetas dhe kolumnist saudit i “The Washington Post”, u vra më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas disa javë mohimit të përfshirjes, Mbretëria pranoi se Khashoggi ishte vrarë në konsullatë, por theksoi se familje mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për një komplot për ta vrarë atë.

Deri më tani, 18 persona, përfshirë zyrtarë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen.

Mbi Jemenin, Pompeo përsëriti thirrjet e Washingtonit për një “ndërprerje të armiqësive dhe për të gjitha palët të kalojnë në tryezë për të negociuar një zgjidhje paqësore” për konfliktin nën të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Martin Griffiths.

Jemeni i varfër ka mbetur i shkatërruar nga dhuna që nga viti 2014, kur rebelët Shia të Houthit pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Konflikti u përshkallëzua në vitin 2015 kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë nisën një fushatë shkatërruese ajrore në Jemen, që synonin të rikthejnë tokat e fituara nga rebelët Houthi.