Nga Redi Shehu
Zgjedhjet janë ato momente në të cilat demokracitë shohin veten e tyre në pasqyrë. Janë stacionet ku i gjithë sistemi ndalet për frymëmarrjen e domosdoshme pas rraskapitjes me mbushamendjet e partive populiste si shpëtimtaret e rendit demokratik. Në zgjedhje ka gjithmonë zgjidhje nëse ato zgjidhje vijnë nga një palë zgjedhje të cilat lënë mënjanë të metat e sistemit dhe shkëlqejnë me përpikmërinë e tyre. Në raste te tilla, kur të gjithë kërkojnë zgjidhje përmes zgjedhjesh, atëhere ato kthehen në qëndrën e vëmendjes së shoqërisë, njëkohësisht edhe në objektivin e grupeve politike të cilat duan t’i zotërojnë me çdo kusht ato. Por, kur kontrolli i grupeve të caktuara politike triumfon në mënyrë jolegjitime mbi zgjedhjet, atëhere ato nga zgjidhje fillojnë të transformohen në një zgjedhë të karamelizuar me gjuhën populiste të shpëtimtarit ndaj establishmentit të vjetër. Populistët, matësin e kohës historike e fillojnë pikërisht tani, në momentin kur këpucët e lustruara dhe kollaret e shtrenjta përmbytin dhunshëm ambientet e zyrave të shtetit.
Metafora mesianike e shpëtimtarit nga zullumqari i radhës, është një këngë e vjetër e sprapsme e fushatave, e sidomos kur gjatë tyre, teprimi me imazh quhet politikë bashkëkohore. Të gjithë e dimë se imazhi është diktatori më i madh i modernizmit. Përmes tij, shoqëritë moderne kanë filluar të mos kuptojnë atmosferën ku jetojnë dhe në fund kanë përfunduar të mos kuptojnë edhe veten. Duke qenë se imazhi është mjeti më efikas dhe sipërfaqësor në ndikimin e ambientit social, ai përdoret dhunshëm nga politika. E ajo që vërejmë është pikërisht fokusim të politikanëve tanë posaçërisht tek imazhi, tek individët, tek veshja, tek gjesti, tek pozicionimi, larg thelbit, larg substancës.
Kjo duket se është perfekt ku të qënurit trendy konceptohet si arritje politike dhe ku gjelatina mbulon për bukuri gafat dhe dështimet personale. Për më tepër nëse i shtojmë kësaj edhe stilin populist të zgjidhjeve përmes zgjedhjeve, atëhere, varfëria e mesazhit, stili agresiv i artikulimit i përzier me një cocktail dyngjyrësh bardh e zi të tipit “Ne vs. Ata”, përpiqen që të japin imazhin e liderëve të forte të cilët jane të shqetësuar për sigurinë dhe identitetin politik të zgjedhësve të vet. Nuk është e thënë që të gjithë liderët e fortë politikë janë populistë, ashtu siç nuk është e thënë se të gjithë liderët populistë janë autoritarë, ajo që duket sheshazi është se rruga drejt autoritarizmit kalon përmes gjuhës, sjelljes dhe veprimit populist.
Krizat ekonomike ushqimi kryesor i populistëve
Ka një serbator social i cili furnizon pothuaj gjithmonë me lëndë të parë shfaqjen dhe ngritjen e populizmit si dhe liderëve populistë në vende të ndryshme të demokracive perëndimore. Kjo për shkak se populizmi është tipar i demokracive dhe si i tille i nevojitet mjedisi i duhur që të mund të lulëzojë. Ky serbator përmblidhet në krizat ekonomike të cilat shoqërohen më pas si për inerci me artikulimin, mesazhet dhe argumentime populiste te një pjese të politikbërjes Me shfaqjen e populizmit, shfaqën edhe situatat fragmentarizuese ku numri partive të vogla tenton të rritet duke kërkuar të kafshojnë tortën e lodhur të pushtetit nga kriza ekonomike e radhës. Në punimin e tyre lidhur me ndikimin e Depresionit te Madh në forcimin e të djathtës ekstreme në zgjedhjet në vitet 1920 dhe 1930, profesorët e Universitetit të Oxfordit, De Bromhead, Eichengreen and O’Rourke ne punimin e tyre “Political Extremism in the 1920s and 1930s: Do German Lessons Generalize?” duke analizuar 171 proçese zgjedhore në 28 vende të asaj periudhe, arrijnë në konkluzionin se ka një lidhje mes krizës së fortë ekonomike dhe sukseseve elektorale te partive të të djathtës ekstreme.
Për të shkuar më tej, Manuel Funke, Moritz Schularick dhe Christoph Trebesch bëjnë një pune kolosale në punimin e tyre “Going to extremes: Politics after financial crises, 1870–2014” ku studiuan 827 proçese zgjedhore në 20 vende të zhvilluara për një periudhë kohore prej 1870-tës derin në 2014-tën. Në përfundim të studimit të tyre arritën të kuptojnë se krizat financiare ndiqen nga një rritje e votës popullore për partitë e ekstremit të djathtë. Parë në këtë perspektivë, edhe kriza financiare të prodhuara nga reçesioni ekonomik amerikan i viteve 2008, i cili u transmetua në kontinentin evropian deri në 2013-tën, shënuan një periudhë të artë për ngritjen e partive populiste në Evropë duke ndërtuar bazamente të forta për t’u rishfaqur fuqishëm pas pandemisë dhe krizës që prodhoi ajo në periudhën 2021- 2024.
Përveç shfrytëzimit të situatës së rëndë ekonomike, populistët aleatin më të madh të tyre kanë mediat sociale të cilat u sigurojnë atyre komunikim të shpejtë dhe të pakufizuar nga etika e mediave tradicionale, duke e bërë mesazhin e tyre më kërshëritës por edhe të arritshëm në skajet më të largëta dhe në veshët më të izoluar të audiencës publike. Ushqimi kryesor i mesazhit bazohet në faktin se anti-elitizmi i tyre mund të shpërndahet me shpejtësi të lartë dhe me kosto të papërfillshme si kurrë më parë. Përveç kësaj, mediat sociale janë shumë më tërheqëse për zgjedhësit se mediat tradicioniale në masën, formën dhe mënyrën se si ato e përcjellin mesazhin politik të integruar me elemente të spektaklit dhe befasisë së ikshmërisë që koha e kufizuar e këtyre rrjeteve ofron.
Ekzaktësisht ajo që populistëve u duhet për të krijuar atmosferën e shkëputjes nga konteksti, gjuhën bazike, pamundësimit të të menduarit dhe arsyetuarit gjatë dhe me argumente. Përvetësimi pastaj i teknologjive të reja nga liderët populistë i bën ato më të suksesshëm, prandaj ata liderë që harmonizohen me gjetjet më të fundit të risive komunikative janë më të prirur për t’ia dalë politikisht. Ndaj nuk është për t’u habitur që liderët tanë si z. Rama me podcastin e tij apo me ER Tv dhe z. Berisha përmes “qytetarit dixhital” tentojnë të ndërtojnë një profil të pranueshëm të kompleksitetit të liderit të vjetër që do të përballet me sfidat e reja elektorale të kohës. Për të mos folur për dialogjet ala tik-tok të kreut të maxhorancës me ish-kryetarin e PD-së z. Basha, në këtë atmosferë elektorale, të cilat karakterizohen thellësisht nga gjuha e vulgut.
Ajo që duket interesante nga gjetjet e këtyre studiuesve, është fakti se një ndër elementët kryesorë të shfaqjes së populizmit në politikë duket se është edhe kultura. Pyetjes se pse populzimi po shfaqet më shumë në këto kohëra, pasohet nga konluzioni se përveç krizave ekonomike kultura e polarizimit social, duket se është nënshtresa e cila qëndron e fjetur në vetëdijen e shoqërive të caktuara. Krizat ekonomike vetëm sa trondisin dhe aktivizojnë këto ndjenja të fjetura duke u shpërfaqur në identitete politike thellësisht të polarizuara.
Populizmi dhe standarti zgjedhor, dy armiq të vjetër
Institucioni i zgjedhjeve i ngritur dhe i monitoruar nga mekaizma të tjerë të cilët çertifikojnë korrektësinë e tij, është në rastin e populizmit më i sulmuari dhe më i anatemuari, për shkak se barriera që ai krijon mes inflacionit të fjalës dhe fakteve në terren, shpesh detyron populistët të mos shijojnë fitoret e tyre të pretenduara. Për këtë arsye, ata atëhere i turren besueshmërisë së këtij institucioni si burim i padrejtësisë. Në vitin 2020, presideni i atëhershëm Trump, në ikje e siper, jo vetëm që goditi besueshmërinë e zgjedhjeve amerikane duke pretenduar se i ishte grabitur vota, por shkoi shumë më larg, indirekt inkurajoi sulmin fizik në ndërtesën e Capitol në Washington DC. Përfshirja e tij u vërtetua katër vite më vonë në janar të 2025 kur firmosi një urdhër ekzekutiv për faljen e të gjithë sulmuesve të 6 janarit 2021. Pra, ndarja e elektoratit me qëllimin e vetëm që të rrisë intolerancën sociale, kthehet për këta liderë, një lajtmotiv elektoral në mënyre që të homogjenizojnë sa më shumë votën e tyre.
Në Shqipëri, duke qenë se është e pamundur të sulmohen institucionet ndërkombëtare që çertifikojnë zgjedhjet, kusuret e gjithë këtij tërbimi i faturohen atyre shqiptare. SPAK edhe pse nuk është institucion që çertifikon zgjedhjet, ai përsëri është në sulmin e liderëve tanë populistë edhe për shak se Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) ka vendosur të hetojë krimin elektoral. Pra, në një fare mënyre, ndikon që proçesi zgjedhor të jetë i drejtë për rrjedhojë edhe i çertifikueshëm ndërkombëtarisht. Pikërisht, krerët e PS-së dhe PD-së, secili në format e veta, e kanë vënë këtë strukturë të posaçme nën sulme verbale të papreçedent. Kjo, sepse në sisteme hibride demokratike si ky i yni, populistët kërkojnë të çimenojnë pushtetin e tyre përmes korrupsionit dhe mashtrimit elektoral duke cënuar garën e pastër politike.
Në fakt, e gjithë politikbërja në Shqipëri ka kaluar në një fazë të pakomentueshme dhe të paanalizueshme, sepse thjesht ajo gjëndet në kolaps. E gjitha çka ngelet për t’u analizuar është absurdi me të cilin ajo ka kohë me të cilin ushqehet. Një absurd i cili nxitet nga maxhoranca dhe ndiqet nga opozita. Një gjendje absurdi politik pa institucione dhe pa shpresë e cila çon shpesh në analiza absurde duke u përpjekur për të shpjeguar, justifikuar e parashikuar të pashpjegueshmen. E thënë thjesht, e gjithë kjo situatë në të cilën ndodhemi, nuk është gjë tjetër veçse një gjendje antipolitike ku si aureolë të sajën ka diskursin e vet i cili po ashtu është antipolitik në vetvete. Nëse me antipolitikë kuptojmë të gjithë sjelljen dhe mënyrat e ndjekura jashtë politikës së zakonshme, atëhere ky është rasti ynë.
Rasti i Rusisë e cila ka investuar për të dëmtuar proçese elektrorale në favor të kandidatëve populist siç bëri me Marie Le Pen në France, ku i transferoi nga bankat ruse nëntë milion euro në vitin 2014, e cila u pasua edhe me një vizitë të Le Pen në Moskë tek Putin gjatë fushatës elektorale të 2017-tës. E njëjta histori edhe me partinë holandeze “Partia e Lirisë”. Financimi nuk ka qenë foma e vetme me të cilën partitë populiste jane ndihmuar nga Rusia. Ka pasur edhe forma të dëmtimit të proçeseve zgjedhore përmes sulmeve kibernetike në përpjekje për të krijuar kaos dhe amulli elektorale. Sulme të tilla në SH.B.A dhe Evropë janë tashmë të vërtetuara në synimin e tyre për të goditur partitë e qëndrës dhe të moderuarit në mënyrë që t’i lihej fushë e lirë populistëve. Emanuel Macron në Francë, ka qenë viktimë e disa sulmeve kibernetike që konsistonin në rrjedhjen e disa dokumentave vetëm dy ditë para zgjedhjeve.
Shërbimet inteligjente gjermane, në mënyrë të përsëritur kanë sinjalizuar për sulme ndaj sistemit të tyre elektoral me objektiv partitë tradicionale të moderuara. Kurse në Holandë, numërimet e votave u kaluan në sistem manual për shkak se softi i numërimit elektronik ishte hakeruar nga jashtë. Gjate fushatës së Trump në 2016-tën, keqpërdorimi i të dhënave të miliona përdoruesve të Facebook me qëllimin e vetëm që të orientojë përmbajtjen e vet politike sipas natyrës së votuesve të caktuar, ishte një provë e qartë e ndërhyrjes në proçesin zgjedhor amerikan. Këto akte, qëllim kryesor të tyre kanë pasur goditjen ndaj standarteve elektorale si barriera më e fortë ndaj veprimit dhe artikulimit populist, por në të njëjtën kohë edhe rritjen e komunikimit të manipuluar elektoral. Megjithatë, ajo që më shumë i hap rrugën populizmit, janë zgjedhjet farsë brënda partive politike.
Zgjedhje hipokratike brënda partive shqiptare
Sa herë që ndodhin zgjedhje tek partitë shqiptare, të vjen në mend demokracia jonë e cila ka gjithmone nevojë për demokraci, dhe demokracitë që kanë nevojë të përhershme për demokraci nuk janë gjë tjetër veçse hipokraci ku hipokrizia ngrihet në sistem dhe gjërat zhvillohen për hir të asaj që duhet të bëhen dhe jo për shkak të thelbit të tyre. Hipokracia e partive shqiptare, ka nevojë që të zhvillohet në një skenë ku teatraliteti i saj të jetë i shijueshëm nga të gjithë, i prekshëm nga të gjithë dhe ajo çka është më e rëndësishmja i pasueshëm nga të gjithë.
Ajo që shfaqet më shume problematike kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla politike, nuk është vetë ngjarja se sa mesazhi që ajo përçon, dhe mesazhi që vjen vazhdimisht pas këtyre zgjedhjeve tregon për përpjekjet për ta shitur hipokracinë si demokraci, si proçedura të standartizuara të çertifikuara politikisht, të cilat duken të pakundërshtueshme. Pra, të çertifikojmë një proçedurë zgjedhore pa standarte në emër të standarteve, në mënyrë që të standartizojmë pëfundimisht mospasjen e standarteve.
Kjo hipokrizi e cila në sajë të përhapjes në formë kapilare dhe insistimit të vet për të mbërritur deri në çdo pore të jetës sonë politike, transformohet nga hipokraci në hipokraturë, në diktaturën e hipokrizisë, ku të mos jesh hipokrit përbën faj dhe identifikohesh si subjekt i veprës penale të ndershmërisë dhe përjashtohesh nga të qënurit shoqërisht i pranueshëm dhe shoqërisht i drejtë. Në këtë atmosferë të rendit hipokratik, pasimi i zgjedhjeve hipokratike nga partitë e tjera kthehet në model dhe përfundimisht bëhet tejet i vështirë rikthimi në proçedurat e normales dhe të drejtës.Për sa kohë që qëndra e pushtetit të partive shqiptare do të vërtitet rreth parasë dhe jo drejt moralitetit të pushtetit, atehërë ato (partitë) do të vazhdojnë të konsiderohen si sipërmarrje më shumë të prirura drejt fasadës demokratike se sa vet thelbit demokratik të funksionimit të tyre.
Shqipëria në fushatë, njw festival populizmi
A është fushata elektorale në Shqipëri një përjetim intelektual përveçse një aksion politik? A është fushata një proçes ngopjeje, një akt përplotesues në të cilin arrin të kuptosh esencën e demokracisë? A përbën fushata për zgjedhjet parlamentare tek ne, ashtu siç rëndom thuhet, një festë e demokracisë ? Që të festosh duhet që ta posedosh atë për të cilën t’i feston, që të jetë festë demokracia në Shqipëri do të thotë që ne duhet ta posedojmë realisht atë. Problemi është se, sa herë që tek ne afron fushata zyrtare, sepse ajo jozyrtarja nuk ka fare ndërprerje, për të mos thënë që ne qeverisjen e kemi fushatë dhe fushatën qeverisje, gjatë mandateve tona bëjmë fushatë për të treguar se si është Shqipëria që do të duhej të ishte, ndërkohë që kur fushata zyrtare vjen, fillojme e realisht të qeverisim duke bërë ndonjë punë, duke rritur rrogat, pensionet, ujësjellësat, kanalizimet, hipotekimet, linçensimet, ndërtimet dhe prokurimet.
Mirëpo, më e bukura është se më të kënaqurit me këtë gjendje duket se janë vetë politikanët, të cilët politikën nuk e konsiderojnë art, por punësim dhe biznes. Për këtë arsye, për ta mbajtur ndërgjegjen të qetë duke u ndjerë të punësuar, e vetmja formë e kësaj ndjesie duket se është fushata e përhershme. Koha e artë e qeverisjes reale është një muaj në katër vite ku motori i pushtetit dhe ingranazhet e shërbimit publik janë më të lubrifikuara se kurrë. A është fushata e zgjedhjeve të 11 Majit një përjashtim nga rregulli ?
Po t’i heqësh këtyre zgjedhjeve këto faktorë që sapo përmendëm, fushata elektorale do të ishte një vazhdimësi e rëndomtë e të bërit politikë tek ne. Pa fantazi dhe pa rrugëzgjidhje, plot konfliktualitet, me kriminalizim, me tarafllëk, do të përbënte një hallkë të shëmtuar në gjerdanin e zverdhur të zgjedhjeve shqiptare, me qëllimin për të arritur tek fitorja më e madhe e politikës shqiptare, e cila konsiston në ndërtimin e kujtesës afatshkurtër tek zgjedhësit. Ky i fundit, duhet të shqetësoshet vetëm për të gjetur mënyrat dhe ofertat më të mira politike që përpiqen të bindin, dhe në asnjë mënyrë ofertat politike që të kënaqin. Sot, përmes industrisë së bindjes publike, mund të bindësh tjetrin se dhimbjet që ndjen, në fakt nuk janë gjë tjetër vetëm se kënaqësi. Prandaj, gjen sot pafundësi zgjedhësish që brohorasin në disa dhjetra mijëra të bindur se dhimbja që ndjejnë, është vetëm kënaqësi, vetëm ekstazë. Kjo marijuanë politike, cila tymosjen kolektive e kulmon në javët e fushatës, luan me ndjenjat dhe përceptimet e gjakosura të zgjedhësve në pritje të rezultatit final.
Këtu, ne nuk ndodhemi më në politikë, por në një mjedis hipnotik, që në funksion të bindjes, ndërton makinerinë e imazhit, të cilën e mirëmban përmes mijëra mundësive. E përsëritur në formë rutinore, zgjedhësi shqiptar, pa e kuptuar, gjen veten të dalë nga qëllimi i tij politik, për të peshuar partitë nisur nga produkti i kënaqësisë publike, dhe bëhet pjesë e hipnozës së bindjes e cila me vorbullën e saj devijon qëllimin e votës. Dhe ja, më në fund bindemi se pemët mbillen, trotuaret shtrohen, asfalt-republika jonë mbështillet me një tis euforik, uji rrjedh prej vërteti në rubineta dhe pluhuri e plehrat të frikësuara zhduken nga rruga. Piedestalet braktisen dhe Vip-at luajnë futboll, pastrojnë rrugë, ngasin makina e bëjnë byrekë, bindemi se dashuria, përqafimi e puthadora mes popujve politikë dhe liderëve arrijnë kulme statistikore. Kështu, portat e të qenit i mashtruar hapen pothuaj në mënyrë automatike për shkak të kohës ciklike që nuk vonon e vjen dhe të qenurit i mashtruar kthehet në një ndjenjë kënaqësie. Liderë të shqetësuar për popullin, popull që ndjehet i përkëdhelur, kërkesa që realizohen brenda pak ditësh, bonuse ekonomike, rritje rrogash e pensionesh, shpërblime, administratë e gatshme për gjithçka, falje borxhesh e dënimesh, amnisti fiskale, politike e morale. Dashuri gjithëpërfshirëse ndaj atij që vetëm duhet të hedhë një copër letër në një kuti plastike. Gropa, puseta, kanale e rrugë që qeshin nga kënaqësia e të qënurit të renditura për një kirurgji plastike e cila nuk garanton çrrudhosje. Kalamaj që mund të bëjnë qejf në krahët e politikanëve, mund të hidhen e përdridhen, përkëdhelen, rrëzohen e llastohen. Të bindur valëvisim më shumë se kurrë flamuj dhe ku shpesh kemi më shumë flamuj se njerëz, atëhere idetë dhe bindjet zverdhen dhe marrin ngjyrën e flamujve.