Meta homazhe për nënkomisarin e rënë në detyrë: Moment i dhimbshëm dhe reflektimi, luftë frontale krimit, të shpëtojmë sa më shumë të rinj

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në homazhet për nder të nënkomisarit Saimir Hoxha, i cili u vra dje në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama pas një operacioni kundër trafikimit të kanabisit.

Meta deklaroi se efektivi i policisë nuk e meritonte të ndahej nga jeta nga familjarët, miqtë dhe komunitet për të cilët sakrifikoi dhe jetën.

Ai gjithashtu shtoi se kjo ngjarje mbetet një moment reflektimi për luftën kundër krimit, duke kërkuar shpëtimin e sa më shumë të rinjve dhe fëmijëve që bien pre e fenomenit dhe të krimeve.

“Është një moment i dhimbshëm që t’i japim sot lamtumirën e fundit një oficeri hero të policisë së shtetit, por edhe një prindi dhe një familjari të shkëlqyer si nënkomisar Saimir Hoxha, i cili kurrsesi nuk e meritonte të ndahej nga jeta nga familja, nga shokët, nga komuniteti dhe qytetarët të cilëve i shërbeu me besnikëri, duke sakrifikuar dhe jetën e tij trimërisht dhe sigurisht është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe për dekurajimin e krimit ordiner, ashtu sikurse është një prioritet lufta çdo sekondë kundër trafikut të drogës, kundër atyre të cilët jo vetëm përfitojnë prej saj, por njëkohësisht edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj, për të shpëtuar sa më shumë fëmijë, të cilët për fat të keq bien në prehrin e këtij fenomeni shkatërrimtar dhe janë përgjegjës për akte të tilla që tronditin një shoqëri të tërë. Kjo është një luftë që duhet bërë çdo sekondë dhe për të cilën nuk duhet të kujtohemi vetëm në momente të tilla tragjike. Sikurse është momenti për të mbështetur më shumë Policinë e Shtetit në këtë luftë të rëndësishme, për të mbrojtur atë, për të mbrojtur të gjithë shoqërinë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë, të cilët duan të jetojnë në një vend të sigurt, në një vend në paqe”, deklaroi Meta.