Meta dhe Ruçi urojnë besimtarët për muajin e Ramazanit

Mesazhe urimi me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit kanë përcjellë presidenti Ilir Meta, kryparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama, kanë uruar besimtarët muslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrjetet sociale, Meta shkruan se i bashkohet urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari.

“Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë”, ka shkruar Meta.

Kryparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar besimtarët me rastin e fillimit të muajit të shenjtë Ramazanit, ka njoftuar zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

“Sot besimtarët muslimanë nisin kremtimin e muajit të bukur e të bekuar të Ramazanit. U uroj të gjithëve agjërim të lehtë dhe lumturi në familje. Edhe pse me vështirësitë dhe kufizimet që na ka imponuar pandemia, ky muaj na shtoftë besimin, dashurinë dhe shpresën se festimet për gëzimet e jetës do të kthehen shumë shpejt”, shkruan në urimin e tij kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe zyrtarë të tjerë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Kujtojmë se sot besimtarët muslimanë fillojnë muajin e shenjtë të Ramazanit.