Merkel përgënjeshtron pretendimet se synon post të lartë në BE

"Nuk do të jem në dispozicion për asnjë post politik, pavarësisht se ku, as në Evropë", tha Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka përgënjeshtruar zërat se synon një post të lartë në Bashkimin Evropian (BE) pasi të përfundojë mandatin e kancelares gjermane në vitin 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nuk do të jem në dispozicion për asnjë post politik, pavarësisht se ku, as në Evropë”, tha Merkel në Berlin në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin holandez, Mark Rutte.

Mediat gjermane spekuluan se Merkel mund të braktis postin edhe më herët, në mënyrë që të kandidojë për një pozitë të lartë të BE-së në Bruksel, sidomos pas komenteve që bëri të mërkurën mbi të ardhmen e BE-së.

“Shumë njerëz janë të shqetësuar për Evropën, përfshirë veten time”, tha kancelarja gjermane në një intervistë ekskluzive me të përditshmen gjermane Sueddeutshe Zeitung.

“Kjo do të thotë se ndjejë një detyrim shtesë që tu bashkohem të tjerëve për të siguruar që Evropa të ketë një të ardhme”, shtoi më tej Merkel.

Në dhjetor të vitit 2018, Merkel dha dorëheqje nga posti i kryetares së CDU-së, të cilës i parapriu humbja e partisë në zgjedhjet rajonale, por theksoi se do mbetet kancelare deri në fund të mandatit në vitin 2021.