Merkel: Ka ardhur koha të çelim negociatat më Tiranën dhe Shkupin

“Shqipëria ka plotësuar shumë nga kërkesat e vendosura”

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpreh mbështetje për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas një takimi me homologun kroat, Andrej Plenkoviç, Merkel tha se ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm për rajonin.

“Kroacia do të zhvillojë një samit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Besoj se është diçka e rëndësishme sepse tani natyrisht që çështja e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut vijon të qëndrojë në rend dite dhe ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm që ne mundemi ta çojmë përpara këtë çështje. Gjermania është e gatshme, e kemi thënë edhe gjatë presidencës dhe ne duam ta përshpejtojmë sëbashku këtë proces”.

Kancelarja gjermane u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur detyrimet, ndërsa kërkoi çeljen e negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë.

“Shqipëria ka përmbushur shumë kritere, të cilat ia kemi vendosur këtij vendi veçanërisht procesin e vetingut, pra riorganizimin e gjyqësorit. Dhe tani është koha që të hapen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë çështje parlamenti ynë vendosi edhe disa kritere shtesë”, tha Merkel.

“Veçanërisht e rëndësishme për ne është afrimi me Bashkimin Europian i vendeve të Europës Juglindore. Duam që më 6 dhe 7 Qershor të zhvillojmë një samit të Ballkanit Perëndimor në Kroaci. Këto vende duhet të përgatiten për metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit që të dimë se si dhe çfarë dinamike do të marrin këto vende dhe si do t’i përmbushin kriteret që u janë përcaktuar për të ecur përpara drejt Bashkimit Europian në vitet e ardhshme”, u shpreh Plenkoviç.

Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.