Son Heung-Min nuk është i mjaftueshëm për ëndrrën e Koresë së Jugut në Kupën e Botës, pasi Vela dhe Chicharito i dhurojnë kualifikimin Meksikës në ndeshjen e dytë duke marrë kryesimin e Grupit F. Gjithçka është e mjaftueshme për ekipin nga Amerika Qëndrore që mundi në takimin e parë Gjermaninë dhe tashmë ka 6 pikë. Padyshim ata janë të kualifikuar në fazën e 1/16-ave duke pritur për kundërshtarin e radhës.
Meksika e nisi ndeshjen si favorite kundër Koresë së Jugut. Lojë e qartë, pasime të sakta dhe në fund gjuajtjet drejt portës së Woo nuk ishin vendimtare. Por, edhe koreanët që në përbërje të tyre kanë figura që luajnë në kampionatet më në zë të Europës padyshim që nuk qëndruan në hije. Ata e kërkuan me ngulm mbrojtjen e rezultatit dhe pse jo fitoren, megjithatë, eksperienca bëri diferencën.
Kur ishte minuta e 24-t e takimit në një aksion në zonën e koreanëve ishte Guardado që donte të jepte një asist për një nga shokët e skuadrës, por që Jang Hyun Soo devijoi topin me dorë dhe gjyqtari serb, Maziç, nuk hezitoi të drejtonte dorën te pika e bardhë e penalltisë. Dy minuta më vonë ekzekutoi mjeshtërisht Vela dhe shifrat kaluan në favor të skuadrës nga Amerika Qëndrore.
Disfata nuk ishte e pranueshme për Korenë e Jugut që e kërkoi barazimin deri në limitin e kohës shtesë, por që nuk e arriti dot. Meksika hyri në dhomat e zhveshjes e buzëqeshur dhe natyrisht që e meritoi fitoren.
Pjesa e dytë nisi më agresive, por sërish ekipi i kolumbianit Osorio e mbrojti rezultatin dhe arriti që të krijonte raste të njëpasnjëshme për të gjetur dhe golin e dytë, apo të sigurisë për të fituar tri pikët në këtë ndeshje.
Në minutën e 66-të, futbollisti simbol i meksikanëve, Javier Hernandez mbylli llogaritë me golin e dytë pas pasimit të marrë nga Lozano. Me katër gola, ai është bërë golashënuesi më i mirë i Meksikës në historinë e Botërorëve.
Në minutën e 93-të, Koreja e Jugut realizoi golin e nderit, të parin në këtë botëror, me anë të futbollistit më të mirë, Heung-Min Son, sulmuesi i Tottenham.
Në ndeshjet e fundit të Grupit F, Meksikës i mjafton të mos humbasë ndaj Suedisë, për të pasur garancinë e vendit të parë, duke shmangur vendin e parë të Grupit E (Brazili).
Koreja e Jugut – Meksikë 1-2
Shënues: Heung-Min 90+3’ / Vela 26 (p), Javier Hernandez 66’
Korea e Jugut: Hyun-Woo, Young-Gëon, Yong, Hyun-Soo, Sung-Yeung, Min-Woo (Hong Chul 84’), Seon-Min (Woo-Young 77’), Se-Jong (Seung-Woo 64’), Jae-Sung II, Heung-Min, Hee-Chan. Trajner: Shin Tae-Yong
Meksika: Ochoa, Moreno, Layún, Salcedo, Álvarez, Guardado (Marquez 68’), Herrera, Gallardo, Vela (Dos Santos 77’), Javier Hernández, Lozano (Jesus Coron 71’). Trajner: J. Osorio
Gjyqtarë: M. Mažić, M. Ristić, D. Đurđević, J. Pitti
Kartonë të verdhë: Young-Gëon 56’, Lee Yong 63’, Seung Woo 72’, Woo Young 80’
Stadiumi: Rostov Arena
Kapaciteti: 45000