Detaje të reja janë mësuar në lidhje me megaoperacionin anti-drogë që po zhvillohet në disa të qytete të vendit, ku janë arrestuar dhe shpallur në kërkim rreth 200 persona.
Burime bëjnë me dije se nga ky operacion janë sekuestruar sasi dhe lloje të ndryshme drogërash, ku bie në sy futja e një lloji të re narkotikësh në territorin shqiptar.
Gazetarja Sara Demushi tha se bëhet fjalë për drogën “xhelatinoze” e cila tregtohet në formën e konservave të peshkut.
“Një tjetër drogë e re e cila ka dalë në qarkullim, bëhet fjalë për “drogën xhelatinoxe”, e cila vjen nga Kanadaja, ajo është në formën e një konservave të peshkut. Kemi edhe një lloj tjetër e cila është në formën e tubave, me origjinë po nga Kanadaja”, tha Demushi.
Si pasojë e operacionit të zhvilluar nga RENEA, FNSH dhe qindra punonjës të policisë janë arrestuar dhe shpallur në kërkim 200 shtetas në qytetet e Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës, Vlorës dhe Sarandës.
Mësohet se gjatë megaoperacionit janë sekuestruar gjithashtu dhe 10 mijë rrënjë kanabisi në Shkodër, disa kilogramë kokainë si dhe armë zjarri.