“Me trajnimin në Shqipëri mbi kulinarinë turke krijojmë ura komunikimi”

Në Shqipëri ka filluar sot kursi mbi kulinarinë turke për nënat shqiptare që kanë fëmijë jetimë me pjesëmarrjen e mastershefes së njohur turke, Ebru Baybara Demir, program i cili realizohet në kuadër të nismës së zonjës së parë të Turqisë, Emine Erdoğan, për prezantimin e kulinarisë turke, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për AA, Demir, tha se me këtë program që po realizojnë kanë krijuar ura komunikimi shumë të mira. “Sot jam këtu me qëllimin për të treguar se kuzhina turke është një kuzhinë e veçantë dhe se si mund t’i bashkoni njerëzit, vendet, ushqimet me gastrodiplomaci. Sot duke iu mësuar grave shqiptare kuzhinën tonë, kontribuojmë që ato të fitojnë të ardhura nga kjo kuzhinë, si dhe kontribuojmë në integrimin social të tyre”, tha ajo.

Demir theksoi se janë së bashku në këtë kurs për të mësuar gjëra të reja dhe sipas saj më shumë ndodhet në Shqipëri për të promovuar mënyrën e gatimit.

Ajo ndër të tjerat tregoi se është shef i gastronomisë sociale. “Unë i besoj fuqisë kuruese të gastronomisë, se i bashkon vendet dhe njerëzit. Këtu sot, kuzhina është gjuha jonë e përbashkët edhe pse nuk e dimë gjuhën e njëri-tjetrit. Ne do t’i mësojmë ushqimet e tyre, ato do t’i mësojnë ushqimet tona, dhe po planifikojmë një kuzhinë. Një kuzhinë shekullore nga periudha osmane, me receta shekullore. Këto njerëz ndoshta duke gatuar këto ushqime do të krijojnë një jetë të re. Kjo është fuqia e gastronomisë”, tha Demir.

Ayşegül Erdal Yörük, bashkëshortja e Ambasadorit të Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, për AA u shpreh se në kuadër të prezantimit të kuzhinës turke që sipas saj është tashmë një nismë nga zonja e parë e Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan, në Tiranë sot ka filluar aktiviteti i emërtuar “Aktiviteti i diplomacisë së gastronomisë Turqi-Shqipëri”.

Ajo shtoi se në këtë program trajnimi do të jetë aktive më të gjitha aftësitë dhe mundësitë e saj mastershefja turke me famë botërore, Ebru Baybara Demir.

“Përmes kuzhinave komerciale që do të operohen bashkërisht nga nënat pjesëmarrëse në këtë trajnim, familjeve do t’u mundësohet të sigurojnë të ardhura të rregullta”, tha Ayşegül Erdal Yörük.

Gerta Gurra, përfaqësuese e Fondacionit Alsar, në një deklaratë për AA theksoi se qëllimi i këtij trajnimi është kualifikimi i nënave të fëmijëve jetimë. “Uroj që ky kualifikim të jetë i vlefshëm për nënat të cilat të kenë një mundësi punësimi dhe mbështetje financiare në të nesërmen e tyre”, tha ajo.

Duke uruar që ky projekt të ketë një përfundim të mirë dhe një mundësi punësimi për nënat pjesëmarrëse, Gurra tha se ftojnë edhe zonjën e parë të Turqisë që të jetë e pranishme në këto aktivitete.

Kursi falas do të ofrohet për rreth 20 nëna të fëmijëve jetimë që mbështeten nga Fondacioni Alsar, ndërsa do të zgjasë dy javë.