“Më rrezikohet jeta në burg”, ish-ministri Tahiri kërkon lirimin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i ka drejtuar një kërkesë Gjykatës së Lartë për pezullimin e dënimit me burg me arsyen se ndihet i rrezikuar.

Tahiri, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj për shpërdorim detyre, kërkon lirimin me pretendimin se ‘i rrezikohet jeta në burgun e Fierit’.

Ai thotë se po vuan dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme ku ndodhen dhe të dënuar të grupit të Lazaratit dhe Xibrakës të arrestuar gjatë kohës kur Tahiri ushtronte detyrën e ministrit.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë thuhet se “vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të pandehurit Saimir Tahiri, mund të sjellë pasoja të rënda për vetë të pandehurin si dhe për familjen e tij”.

“Tahiri ka mbajtur funksionin e ish-ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë ai rrezikon dhe mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin”, thuhet në kërkesë duke shtuar se ‘edhe familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasoja të mundshme’.

Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në rigjykimin e çështjes, në shkurt të këtij viti vendosi që të Tahiri ta vuajë dënim me burg.

Tahiri kërkon që ky vendim të pezullohet dhe të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, që në shtator 2019, caktoi ‘shërbim prove’ për ish-ministrin.