Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës Kompania Bello, është arrestuar gjatë një operacioni policor në Stamboll.
Narkotrafikanti shqiptar kishte hyrë në Turqi me pasaportë false.
Ministri i Punëve të Brendshme të Turqisë, Ali Yerlikaya, tha se autoritetet turke konstatuan se Rexhepi hyri në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.
Ministri Yerlikaya, i cili njoftoi operacionin në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deklaroi se policia e Stambollit arrestoi liderin e kartelit të njohur të drogës si rezultat i ndarjes së informacionit me policinë italiane.
“Lufta jonë kundër trafikantëve të drogës dhe organizatave të krimit të organizuar do të vazhdojë të rritet me vendosmëri”, tha ministri turk.