Më i larti në 20 vite! Inflacioni arriti 6.7% në maj, nuk ndalet rritja e çmimeve

Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur edhe për muajin maj. Inflacioni arriti në 6.7%, ndërsa ky nivel është më i larti në 20 vitet e fundit në vendin tonë.

Grupet kryesore që ndikuan në inflacionin e muajit maj janë ushqimet ndjekur nga transporti, ku përfshihen çmimet e rritura të lëndëve djegëse, dhe më pas vjen grupi i qirasë, lëndëve djegëse dhe energjisë.

Kostot e energjisë janë rritur për bizneset në treg të lirë, ndërsa në muajin maj çmimi arriti 32 lekë kë/h, 3 herë më i lartë se një vit më parë, ndërsa me 60% është rritur edhe çmimi i energjisë për bizneset në tension të mesëm, por mbetet i pandryshuar për familjarët dhe bizneset e vogla.

Karburantet gjithashtu vijojnë rritjen, ndërsa vendimi i fundit i Bordit e ka dërguar çmimin e naftës në nivelin historik në 258 lekë.

Banka e Shqipërisë ka rritur normën bazë të interesit për të luftuar inflacionin, por kjo masë ende nuk po jep shenja në ngadalësim, ndërsa niveli i kredisë së re apo paraja në qarkullim vijon të rritet.

Nga krahu tjetër, leku po vazhdon të qëndrojë i fortë në krahasim me euron. Kjo ka zbehur disi inflacionin që vjen nga mallrat e blerë nga jashtë, pasi me BE-në, Shqipëria realizon rreth 60% të tregtisë së jashtme.

Inflacioni i lartë po jep dhe shenjat e para në ngadalësimin e konsumit në vend, siç shihet edhe nga shifrat e doganave, ku në muajt prill dhe maj janë importuar sasi më të pakta nafte.