Nën përkujdesjen e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në Shkup është mbajtur akademi solemne me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në akademinë solemne, që është manifestimi qendror në Shkup, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhafer, zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka, ambasadori i Kosovës, Florian Qehaja, ministra, deputetë, si dhe përfaqësues të organizatave qeveritare dhe joqeveritare.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, uroi festën duke përkujtuar dëshmorët e rënë.
Në deklaratë për mediat, ai u shpreh se 28 Nëntori është një ditë e shënuar për shqiptarët dhe se ajo paraqet një festë të përbashkët të të gjithë shqiptarëve për flamurin e tyre kombëtar.
“Është ditë e shënuar, është një ditë ku përkujtohen të gjithë ata që kanë kontribuuar, që kanë derdhur gjakun për këtë flamur. Shqiptarët gjithandej sot festojnë dhe të gjitha takimet që bëhen, janë në përurim të kësaj dite për të gjithë njerëzit”, tha Ahmeti.
Ambasadori Reka në fjalimin e tij uroi shqiptarët për Ditën e Flamur dhe përshëndeti marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai u shpreh se nënshkrimi i më shumë se 21 marrëveshjeve në mbledhjen e përbashkët qeveritare është tregues për vendosmërinë që “të bashkuar të shohim drejt së ardhmes”.
“Festimet e këtij viti janë edhe më domethënëse, sepse është vit jubilar, si dhe faktin që vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, morën ftesën nga Bashkimi Evropian më 19 korrik për fillimin e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian”, tha ambasadori Reka.
Kryeparlamentari Xhaferi gjithashtu shprehu urime në emër të tij dhe të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, duke uruar suksese dhe përparim të shqiptarëve kudo që të jenë.
“Pa dyshim se kjo festë e rëndësishme është thellë e ngulitur në memorien historike kolektive kombëtare dhe në zemrat e të gjithë pjesëtarëve të popullit shqiptar, kudo që të gjinden të shpërndarë anembanë botës”, tha Xhaferi.
Fjalim kishte edhe ambasadori Qehaja, i cili uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Flamurit dhe përshëndeti marrëdhëniet e mira ndër-shtetërore midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Shqiptarët kudo që janë e festojnë 28 nëntorin si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli pavarësinë.