Mbyllja e shkollave gyleniste, reagimet e politikës dhe të gylenistëve

Nga: Floriar Arapi

Pas shumë kërkesave dhe trysnive nga shteti turk, më në fund qeveria shqiptare ndërmori një hap për mbylljen e disa intitucioneve arsimore të organizatës Gylen, kopshtin Zybejde Hanëm, (Turgut Ozal) dhe shkollën e vajzave Mehmet Akif. Në publik Rama dhe ministrja e tij, nuk nxorrën arsyen reale të mbylljes, por nxorrën si shkak të mbylljes disa arsye dytësore të thjeshta, që sido që mund të ishin në rregull nga ana ligjore, nuk ishin arsyeja e vërtetë e mbylljes së tyre.

Për gylenistët kjo ishte goditja e parë e rëndë shtetërore ndaj tyre në Shqipëri, por a ishte kjo e vërtetë dhe e mjaftueshme ?
Qeveria shqiptare rregullisht e ka nënvleftesuar gylenizmin dhe e ka parë atë si një rival politik të Erdogan dhe jo edhe si një problem të brendshëm të shtetit shqiptar. Informacionet dhe paralajmërimet e shtetit turk, i ka parë me po të njëjtin dyshim, (rivalitetit politik me Erdogan). Ndaj edhe çdo hap të ndërmarr ndaj tyre i ka parë si një favor që ia bën shtetit turk dhe jo si detyrë qeverisëse, për garantimin e sigurisë dhe për ndalimin e një organizate terroriste ose minimalisht organizatë kriminale okulte të rrezikshme.
Nuk di si të mund ta klasifikosh këtë nënvlerësim të shtetit shqiptar ndaj kësaj organizate, mefshtësi, naivitet apo kapje të shtetit ?!

Organizata Gylen që prej vitit 1992 që ka filluar aktivitetin e saj, e deri tani, me rrjetin e saj prej çerdhes deri në universitet dhe më pas në punësim, ka nxjerrë disa dhjetëra mijëra nxënës e studentë nga shkollat, konviktet e tyre apo edhe nga “shtepitë e dritës” (siç ata i quajnë). Nivelet e tyre të lidhjes me këtë organizatë janë të ndryshme. Megjithëse pjesa më e madhe e tyre mbeten simpatizantë të saj, një numër i konsiderueshëm prej tyre bëhen ushtarë të verbër të kësaj organizate. Ata fillojnë infiltrohen në institucionet kyçe shtetërore, për të realizuar qëllimin final të kësaj organizate që është kapja e shtetit.

Por si ka reaguar shteti shqiptar deri tani në lidhje me këtë organizatë?

Në lidhje me këtë veprimtari të kësaj organizate, pyetjet që gjithkush duhet ti drejtoj shtetit shqiptar janë;
A kanë informacion organet kompetente të shtetit shqiptar për veprimtarine e fshehtë të kësaj organizate?
A kanë informacion për takimet e fshehta sistematike të zinxhirit organizativ të saj ?
A kanë informacion mbi hierarkinë e saj ?
A kanë informacion mbi besnikët e kësaj organizate që mbajnë pozicione në polici, prokurori, gjykata, SHISH, ministri të ndryshme, KMSH, Komitetin Shtetëror të kulteve, etj ?
A janë marrë në studim shembulli dhe informacionet e shtetit turk sesi ata u infiltruan gjithandej, deri në prag të kapjes totale të shtetit ?
Dhe duke qenë se jemi në çështjen e shkollave, a e di shteti shqiptar që të gjithë zinxhiri organizativ i kësaj organizate vjen dhe është kusht që të vij, nga njerëz që kanë qenë në shkollat e kësaj organizate që prej moshës së vogël ?
A kanë informacion shteti shqiptar mbi bizneset e kësaj organizate dhe bizneset financuese të saj, mbi pothuajse monopolin në sistemin shëndetësor privat, spitalet amerikane, Hygea, mbi televizionin e saj Abc News, e shumë të tjera?
A janë pyetur ish-nxënësit dhe studentët e gylenistëve për eksperiencat e tyre me këtë organizatë?

Të gjitha këto pyetje kanë nevojë për një angazhim serioz shtetëror dhe hetim të imtësishëm, nga i cili lehtësisht dilet minimalisht në përfundimin se kemi të bëjmë me një organizatë okulte.
Këto veprimtari okulte e bëjnë organizatën Gylen, organizatë kriminale të jashtëligjshme edhe në vendin tonë, dhe kjo pa marrë parasysh veprimtaritë e saj kriminale apo terroriste në Turqi. Këto mjaftojnë që shteti shqiptar të marrë masa për ndalimin e aktivitetit të saj.

Grushti i shtetit në Turqi, vrasja dhe plagosja e mijera civileve dhe si rezultat kërkesa nga shteti turk për ndalimin e kësaj organizate terroriste, e bën dyfish më të rëndë situatën. Thënë më shqip, ne strehojme ata që vrasin miqtë tanë.

Mbyllja e shkollës dhe kopshtit për arsyet dytësore, nuk është veprim i sinqertë i qeverisë. Shkollat dhe veprimtaritë e tyre duhet të mbyllen për shkakun e vërtetë, kërcënimin e sigurisë kombëtare. Kjo mbyllje duhet të vij normalisht dhe si zbatim i ligjeve të vendit tonë, edhe sikur këtë gjë mos ta kërkoj fare shteti turk.

Është parë që mbyllja e shkollave gyleniste është bërë kauze e Berishës dhe opozitës, me një mbrojtje këmbëngulëse të një organizate që ka përgjakur rrugët e Turqisë. Justifikimet që japin Berisha dhe politikanët e opozitës janë: kjo është çështje politike e brendshme e Turqisë, është rivalitet politik, dhe Erdogani dhe Gylen kanë qenë miq të ngushtë dhe tani grinden. Të gjitha këto teza, janë teza që burojnë nga vetë gylenistët.

Të thuash për një organizatë ndërkombëtare, që është tejet influente dhe e përhapur në fshehtësi edhe në vendin tonë, që është çeshtje e brendshme e Turqisë, nuk ka sens.
Të thuash është rivalitet politik, është të mos njohësh realitetin e Turqisë. Shteti turk ka një opozitë të ligjshme zyrtare tejet të fuqishme, që zakonisht ka marrë më shumë se 40 apo 45 % të votave. Opozita turke gjithashtu e kanë dënuar ashpër grushtin e shtetit të gylenistëve.

Tani çfarë është gylenizmi ?! A është opozitë ?

Parti politike dhe opozitë e ligjshme nuk është, por ka një axhendë totalisht politike dhe është i infiltruar në të gjitha partitë politike. Është organizate politike e paligjshme e dhunshme, në luftë me shtetin turk. Nga kushtet kryesore për të qenë organizatë terroriste, janë qëllimet politike dhe përdorimi i dhunës.

Te thuash Erdogan dhe Gylen kanë qenë aleate, kjo është si të thuash Shtetet e Bashkuara dhe Al-Kaida kanë qenë aleate në luften e Afganistanit kundër Bashkimit Sovjetik. Erdogani apo ShBA nuk mund të parashikojnë që Al-Kaida apo Gyleni, do të kryejnë akte terroriste mbas disa vitesh.

Thënia se Erdogan dhe Gylen kanë qenë miq të ngushtë, nuk është aspak e vërtetë, por edhe sikur të jetë e vërtetë, Berisha e di shumë mirë sesi është politika, sot je mik i ngushtë me Bashën apo me Metën, por nesër je armik. Vetëm se në rastin e Bashës apo Metës, gjithçka është e ligjshme, sepse nuk kanë vrarë njerëz apo të drejtojnë një organizatë terroriste.

Pas mbylljes së shkollave, gylenistëve iu desh që të dalin disi nga skutat e tyre dhe të tregojnë se egzistojnë, megjithëse deri tani kjo gjë ka qenë e pazakontë për strategjinë e tyre. Shumë prej tyre shfaqen mbështetjen për organizatën e tyre me statuse publike në facebook dhe në media. Ndër ta kishte edhe gazetarë të njohur, të cilët rregullisht mbrojnë gylenistët por asnjëherë nuk thonë që janë gylenist. Gylenistët organizuan disa protesta, në të cilat përdorën fëmijët e shkollave të mesme për të mbajtur fjalime patetike duke qarë, deri dhe fëmijët e kopshtit të cilët nuk dinin për çfarë kishin dalë dhe gazetarët i instruktonin live si të silleshin. Vorbullës gyleniste iu bashkangjitën fatkeqësisht edhe militantët e Pd, në zbatim të orientimit politik të kryetarit të tyre.

Është me interes të shihet si do te sillen gylenistët në vijimësi, tashmë që denoncimi publik ndaj organizatës së tyre është bërë rregullisht, besimtarët kanë ngritur zërin për çlirimin e e Komunitetit Musliman prej tyre (gylenistëve) dhe tashmë që populli dhe shteti shqiptar po i njeh më mirë, por më e rëndësishmja është:
A do ta kryej shteti shqiptar detyrën e tij, për ndalimin e aktivitetit kriminal apo terrorist gylenist në Shqipëri ?