Mblidhet Këshilli Kombëtar, Idrizi koalicion me PD në opozitë, tre deputetët e PDIU vazhdojnë me PS

PDIU ka mbledhur sot Këshillin Kombëtar pa deputetët e partisë. Mësohet se kryetari Shpëtim Idrizi do të shpallë kalimin në frontin opozitar PD+LSI, ndërsa deputetët e kësaj force politike, do të vazhdojnë bashkëpunimin me socialistët.

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet braktis koalicionin me Partinë Socialiste dhe kalon në opozitë. Vendimi është marrë sot gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PDIU. Shpëtim Idrizi propozoi që PDIU të dalë nga koalicioni me të majtën dhe t’i bashkohet frontit opozitar.

Report Tv ka mësuar se Idrizi do kalojë i vetëm krah PD-së, ndërkohë që tre deputetë të kësaj partie do të vijojnë bashkëpunimin me Partinë Socialiste. Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici, nuk kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duke sinjalizuar qëndrimin nën “ombrellën” e qeverisë. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, me votë unanime Shpëtim Idrizi u mandatua të negociojë me PD-në dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha marrëveshjen koalicionit, e cila i paraprin zgjedhjeve vendore të qershorit 2019.

PDIU rikthehet pas 4 vitesh te e djathta, pasi u largua në vitin 2014. Një vit më parë, 2013, PD kishte kaluar në opozitë, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa PDIU, në këto zgjedhje siguroi pesë mandate. Vetë Idrizi u zgjodh deputet përmes listave të PD. Por edhe koalicioni me PS nuk funksionoi. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PDIU arriti të marrë vetëm 3 mandate, dy në Elbasan Aqif Rakipi dhe Bujar Muça (të dy të larguar më pas i pari për efekt të dekriminalizimit dhe i dyti dorëzoi mandatin, duke u zëvendësuar përkatësisht nga Elena Xhina dhe Dritan Bici) dhe një në Dibër (Reme Lala). Madje kjo e fundit shprehu menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare se vota e saj në Kuvend do ishte për PS-në. Tre deputetët e kësaj force politike kanë votuar rregullisht projektligjet e maxhorancës pavarësisht nga ftohja e PDIU me PS.

Negociatat e Tiranës me Greqinë për çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve larguan edhe më shumë PDIU-në nga PS-ja. Shpëtim Idrizi akuzon qeverinë se tradhtoi çështjen Çame. Përpara anëtarëve dhe drejtuesve të PDIU, Idrizi tha se gaboi që i besoi Ramës dhe qeverisë së majtë zgjidhjen e çështjes Çame. Idrizi hodhi akuza edhe në drejtim të Greqisë duke i kujtuar se është i vetmi vend që nuk njeh minoritetet, ndërsa nga ana tjetër garantoi se nuk do ndalen përpjekjet për realizimin e amanetit të të parëve.