Mbi 200 muslimanë Rohingya presin të hyjnë në Bangladesh

Abdul Motaleb Mater tha se ai mësoi nga anëtarët e tij të familjes dhe kontaktet e tjera në Mianmar se shumë muslimanë Rohingya janë mbledhur në anën lindore të lumit Naf, pasi ushtria e Mianmarit ka filluar një tjetër goditje

Më shumë se 200 muslimanë Rohingya po presin pranë kufirit jugor të Bangladeshit për të hynë në vend në kërkim të strehimit të sigurt përballë goditjes së re të dyshuar nga ushtria e Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Koloneli Asaduzzaman Chowdhury, drejtori i Batalionit II të Rojës Kufitare të Bangladeshit (BGB), për Daily Report tha se ata kanë dal në terren të enjten e kaluar pasi u njoftuan se mbi 200 muslimanë Rohingya ishin duke pritur pranë Shah Porir Dwip në rrethin Teknaf.

Media lokale raportoi se forcat kufitare të Bangladeshit tashmë kanë forcuar monitorimin e tyre në zonë.

Përveç BGB-së, për të shmangur ndonjë fluks refugjatësh anëtarët e Gardës Bregdetare patrullonin lumin Naf, i vetmi lumë i ndarjes së kufirit ndërmjet Bangladeshit dhe Mianmarit.

Abdul Motaleb Mater, një udhëheqës i komunitetit Rohingya në kampin e refugjatëve Leda në Cox’s Bazar, tha për të përditshmen se ai mësoi nga anëtarët e tij të familjes dhe kontaktet e tjera në Mianmar se shumë muslimanë Rohingya nga disa fshatra janë mbledhur në anën lindore të lumit Naf.

Ai tha se ata janë mbledhur atje në kërkim të strehimit të sigurt, pasit të enjten ushtria e Mianmarit ka filluar një tjetër goditje.

Masakrat ndaj muslimanëve Rohingya

Që nga 25 gushti i vitit 2017, sipas Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar Ontario (OIDA), më shumë se 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

“Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën”, thuhet në raportin e OIDA-s, duke shtuar se 17.718 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit. Po ashtu theksohet se mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Populli Rohingya, i përshkruar nga OKB si më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

OKB ka dokumentuar përdhunimet në masë, vrasjet, duke përfshirë edhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.