Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar gjatë kësaj jave rezultatet e arritura në kuadër të zbatimit të planit të detajuar të masave, me qëllim mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, uljen e evazionit fiskal, rritjen e të ardhurave, rritjen e numrit të vendeve të punës, si dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për tërheqjen e kuponit tatimor.
Përpara fillimit të sezonit turistik, tatimorët u angazhuan në një fushatë edukimi dhe informimi për tatimpaguesit, të cilët ushtrojnë aktivitet në zonat turistike.
3,269 tatimpaguesve ju adresua thirrja për korrektesë në zbatimin e legjislacionit tatimor, si dhe u informuan mbi të drejtat dhe detyrimet për të ushtruar një aktivitet ekonomik.
Rreth 2,200 tatimpagues të përzgjedhur me kujdes, u ftuan për të përmirësuar vetëdeklarimin, nga të cilët 1,100 tatimpagues ju përgjigjën thirrjes pozitivisht, shkruan ATSH.
Deri më tani, 6,227 subjekte u kontrolluan në territor ndërsa 2,415 subjekte u konstatuan me shkelje. Vlera totale e shkeljeve nga këto biznese shkon në 89.8 milionë lekë .
Gjithashtu, nga kontrollet e tatimorëve arrin në 240 numri i subjekteve të paregjistruara dhe 366 tatimpagues janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, të cilët janë futur në skemën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore.