Mbahet seanca komemorative për vdekjen e Adem Demaçit

Veseli tha se Demaçi ka qenë Mandela evropian dhe disidenti komunist i Vaslav Havelit dhe Leh Valesa

Adem Demaçi ka qenë simbol i lëvizjes nacionale të shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës, u tha sot në seancën komemorative në Kuvendin e Kosovës me rastin e vdekjes së tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Seanca komemorative filloi me intonimin e himnit të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe me një minutë heshtje për nder të të ndjerit Adem Demaçi (83), luftëtarit më të njohur për të drejtat e shqiptarëve.

Në komemoracion ishin të pranishëm familja e Adem Demaçit, kreu më i lartë shtetëror i Kosovës, kabineti qeveritar dhe deputetë, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi dhe shumë personalitete tjera nga jeta publike e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se Kosova ka humbur një patriot të madh dhe njërin nga njerëzit më të mëdhenj në 100 vitet e fundit.

“Humbëm Adem Demaçin, simbolin e tërë lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës”, tha Veseli.

Veseli rikujtoi se Demaçi ka qenë i burgosur, i izoluar, i dënuar dhe sërish i dënuar, 28 vite pa ndërprerë, por i cili nuk u thye.

“Adem Demaçi mposhti frikën e pushtuesve dhe me guximin e tij bëri që tërë populli të mposhtë frikën. Këtu filloi liria, meqë populli që nuk frikësohet nga pushtuesi, patjetër të fitojë lirinë. Adem Demaçi është vetëditja e lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës”, vlerësoi Veseli.

Ai tha se Demaçi ka qenë Mandela evropian dhe disidenti komunist i Vaslav Havelit dhe Leh Valesas.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vasilika Hysi, në fjalimin e saj tha se populli shqiptar mbeti pa patriotin, heroin, shkrimtarin dhe luftëtarin për të drejtat e njeriut.

“Kemi humbur një njeri të madh dhe të jashtëzakonshëm. Nuk është më në mesin tonë luftëtari për të drejtat e njeriut, i respektuar dhe i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha territoret shqiptare, ku jetojnë shqiptarët në mbarë botën”, tha Hysi.

Presidenti i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, nga ana e tij theksoi se Adem Demaçi edhe përkundër të gjitha sfidave jetësore gjithmonë ka qenë me shikim drejt ardhmërisë për popullin, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme.

“Vepra e tij, përveç institucioneve vendore të cilin e kanë shpallur Hero Kombëtar, u vlerësua gjithashtu nga institucionet botërore. Parlamenti Evropian i ndau atij Çmimin Saharov për Lirinë e Fjalës, që u jepet atyre që e kushtojnë jetën e tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit”, tha Xhaferi.

Pas komemoracionit në hollin e Kuvendit të Kosovës filluan homazhet afër arkivolit me kufomën e të ndjerit Adem Demaçi.

Demaçi nesër me nderime shtetërore do të varroset në Prishtinë, në varrezat e heronjve kombëtarë, ndërsa me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur ditë zie tre ditëshe, që filloi prej sot.