Mbahet raundi i tretë i bisedimeve midis Shqipërisë dhe Greqisë

MEPJ ka njoftuar se më 22 qershor 2018, në Athinë u mbyll raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë

 Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë (MEPJ) ka njoftuar se është mbajtur raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“U mbyll më 22 qershor 2018, në Athinë raundi i tretë i bisedimeve për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një klimë pozitive, miqësore dhe bashkëpunuese”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Gjithashtu theksohet se grupet negociatore do të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe në interes të të dyja palëve.

Kujtojmë se në muajt e fundit mes zyrtarëve të Shqipërisë dhe Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare.