Mbahet forumi “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës”

Gjergj Buxhuku, nga AlbKonfindustria gjatë fjalës hyrëse tha se qëllimi i këtij forumi është krijimi i një tregu të përbashkët energjetik në mes Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit

Me pjesëmarrjen e operatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë të energjisë organizohet Forumi Ndërkombëtar “Bashkimi i tregut në sektorin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës – Roli i krijimit të shkëmbimit të përbashkët të energjisë në këtë proces”.

Ky edicion organizohet nga Konfindustria në bashkëpunim me IFC International Finance Corporation dhe me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.

Forumi do të përqendrohet në sfidat e themelimit  të Shkëmbimit të Energjisë Elektrike në përputhje me zbatimin e politikës shqiptare të energjisë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe integrimin në tregun rajonal të energjisë.

Modelet e shkëmbimit të energjisë dhe integrimi i tregut të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës do të diskutohen bazuar edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se mosimplementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë është problemi kryesor që Kosova dhe Shqipëria nuk do të mund të liberalizojnë tregun e energjisë.

Pa implementimin e kësaj marrëveshjeje me Serbinë, sipas Llukës, nuk do të ketë liberalizim të tregut me Shqipërinë.

Ai tha se në takimin e fundit, Kosova dhe Serbia kanë lëvizur përpara për implementimin e marrëveshjes që, sipas tij, deri në fundvit do të ketë një përfundim.

“Ligji për Efiçiencë ka kaluar javën e kaluar në Kuvend, ligj që parasheh 9% të kërkesës së energjisë t’i kemi nga këto masa. 20 objekte publike janë ndryshuar nga BB, dhe priten të ndryshohen edhe shumë të tjera”.

“Integrimi i tregut dhe bursa për energji mes dy vendeve është zbatimi detyrimor ndërkombëtar, që parasheh përmes një tregu më të madh, i cili do të jetë atraktiv dhe konkurrues, kjo është ideja e tregjeve të dy vendeve”.

“Në problemin që e kemi me Serbinë është mos-implementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë, ku integrimi i tregjeve të dy vendeve dhe përfshirja e KOSTT-it në bursën shqiptare të energjisë, pika kritike është zgjidhja e problemit me Serbinë, mos-implementimi i marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë. Ishim në takim në Bruksel për këtë. Kemi lëvizur përpara, deri në fundvit po presim të ketë një rezultat me Serbinë”.

Ky forum i cili po mbahet për herë të dytë organizohet nga AlbKonfindustria (Konfederata e Industrive të Shqipërisë) me mbështetjen e Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.

Gjergj Buxhuku, nga AlbKonfindustria gjatë fjalës hyrëse tha se qëllimi i këtij forumi është krijimi i një tregu të përbashkët energjetik në mes Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit. Sipas tij, liberalizimi i tregut të energjisë, krijimi i bursës së energjisë janë po ashtu pjesë e detyrimeve të integrimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka tha se Kosova ka aprovuar në parlament strategjinë dhjetë vjeçare për energji e cila parasheh ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese si dhe rehabilitimin e tyre aktuale, integrimin në tregun rajonal, nxitjen e mëtejme të prodhimit të energjisë së pastër si dhe aplikimin e masave të eficiencës së energjisë.

Duke theksuar se kjo strategji parasheh rreth 3 miliardë euro investime dhe kyçjen me gaz në të ardhmen, Lluka bëri të ditur se zbatimi i detyrimit ndërkombëtar përmes traktatit të komunitetit të energjisë për vendet e Ballkanit Perëndimor nga BE-ja do të krijojë një treg më të madh, më atraktiv dhe konkurrues në rajon.

“Efektet e saj janë jashtëzakonisht me rëndësi për ne. Së pari është përmirësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Siç e dimë Shqipëria ka tërë energjinë të gjeneruar nga hidrocentralet kurse ne në Kosovë e kemi tërë energjinë të gjeneruar nga thëngjilli. Shfrytëzimi i dy kapaciteteve ka anët e saj negative por edhe pozitive. Anët pozitive janë se thëngjilli është stabil në gjenerimin e energjisë kurse hidrot përveq që kanë koston e lirë kanë edhe problemet që varet edhe nga natyra”, tha Lluka.

Lluka përmendi edhe problemin aktual me Serbinë, i cili sipas tij, pamundëson integrimin mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe përfshirjen e Kostt-it në bursën e Shqiptare të Energjisë. Ai theksoi se me moszbatimin e marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë, Kosova nuk mund të përcaktojë kapacitetet e veta energjetike edhe pse ka dy marrëveshje të mirëkuptimit me Shqipërinë për krijimin e bursës energjetike në mes të OST-së së Shqipërisë dhe Kostt-it në Kosovë.

Zëvendërministrja e Industrisë dhe Energjisë së Shqipërisë, Dorina Cinari, theksoi se Shqipëria ka aprovuar strategjinë kombëtare të energjisë “Shqipëria 2030”. Ajo theksoi se vizioni i Shqipërisë për zhvillimin e energjive është zhvillimi i burimeve të energjisë dhe baza ligjore e cila mundëson përpunimin, rregullimin e zhvillimit të tregut të përbashkët të energjisë me Kosovën dhe vendet e rajonit.

“Janë linjat e interkoneksionit që bëjnë të mundur lidhjen e tregut shqiptar me tregjet në rajon. Shqipëria ka 6 linja të interkoneksionit me vendet fqinje, 4 nga të cilat janë 400 kW. Kemi linjën me Kosovën e cila edhe pse është 400 kW është shumë e fuqishme por nuk është në funksion akoma për shkak të mosmarrveshjeve me Serbinë”, tha Cinari.

Ndërsa Hans-Arild Bredesen, përfaqësues i Norvegjisë për sektorin energjetik, bëri thirrje që Kosova dhe Shqipëria si fqinjë ta përshpejtojnë procesin e tregut të përbashkët.

“Keni fqinjët e juaj që janë pjesë e një bashkimi më të gjerë, ju keni qenë të parët dhe ju si fqinjë duhet ta shpejtoni këtë proces, përshpejtoni përparësitë që keni”.