May dhe Macron flasin me mbretin saudit për vrasjen e Khashoggit

Kryeministrja britanike, në bisedën telefonike me mbretin saudit, ka shprehur “shqetësimin e madh” të Britanisë së Madhe dhe ka theksuar se shpjegimit të Arabisë Saudite “i mungon besueshmëria”

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë zhvilluar biseda telefonike me mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, ku kanë shprehur shqetësimet e tyre për rastin e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

May në bisedën telefonike me mbretin saudit, njofton qeveria britanike, ka shprehur “shqetësimin e madh” të Britanisë së Madhe dhe ka theksuar se shpjegimit të Arabisë Saudite për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi “i mungon besueshmëria”.

“Vazhdon të mbetet një nevojë urgjente për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur. Është me rëndësi që të vërtetohen faktet e plota”, i tha kryeministra May mbretit Salman, duke i kërkuar Arabisë Saudite që të bashkëpunojë me autoritetet turke dhe të jetë transparente për rezultatet.

Qeveria britanike bëri të ditur se May në bisedë ka përsëritur se të gjithë individët që mbajnë përgjegjësinë për vrasjen e Khashoggit duhet të japin llogari në mënyrën e duhur.

May po ashtu theksoi se sekretari i brendshëm britanik, Sajid Javid, është duke ndërmarrë masa kundër të gjithë të dyshuarve në vrasjen për të parandaluar ata që të hyjnë në Britaninë e Madhe, duke shtuar se “nëse këta individë kanë viza, ato janë revokuar”.

 – Macron i kërkon mbretit saudit zbardhjen e vrajes së Khashoggit

Nga ana tjetër, Pallati Presidencial i Francës Elysee, njoftoi se edhe presidenti francez, Macron gjatë bisedës telefonike ka shprehur zemërimin e thellë kundër këtij krimi dhe ka kërkuar zbardhjen e rastit të vrasjes së Khashoggit nga mbreti Salman.

Macron me këtë rast ka shprehur rëndësinë e lirisë së shprehjes, shtypit dhe publikut për shtetin e tij.

“Franca nuk do të hezitojë që të vë në fuqi sanksionet ndërkombëtare ndaj autorëve të krimit dhe partnerëve të tyre”, është shprehur presidenti francez.

Duke rikujtuar se biseda është realizuar në kuadër të marrëdhënieve historike dhe dialogut strategjik mes Francës dhe Arabisë Saudite, në deklaratë thuhet se të dy liderët kanë diskutuar edhe për çështjet rajonale, duke filluar nga Jemeni dhe Siria.

Khashoggi, një kolumnist i “Washington Post”, është zhdukur që nga 2 tetori kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Sipas burimeve të policisë turke, në ditën e zhdukjes së tij, 15 shtetas sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy aeroplane dhe vizituan konsullatën, ndërkohë që Khashoggi ende ishte brenda. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit javën e kaluar përfundoi një hetim mbi rastin, pasi kreu hetime në rezildencën e konsullit të përgjithshëm dhe në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Më vonë, pas disa ditëve të mohimit për fatin dhe vendndodhjen e tij, Arabia Saudite më 20 tetor pranoi se Khashoggi ka vdekur gjatë një zënke brenda konsullatës.

Mbreti saudit shkarkoi zv/shefin e shërbimit të fshehtë të vendit dhe një ndihmës të lartë, ndërsa urdhëroi edhe arrestimin e 18 të dyshuarve mbi rastin.