Marrëveshje sekrete për Butrintin, ministrja e Kulturës: Aspektet ekonomike janë konfidenciale

Ministrja Kulturës, Elva Margariti ka sqaruar në Komisionin e Medias, arsyet pse kontrata me fondacionin që do menaxhojë Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit, është sekrete. Pas përplasjes së fortë me deputeten e PD-së, Ina Zhupa për këtë çështje, ajo iu përgjigj pyetjeve të deputetit të PS-së, Petro Koçi, njëherësh nënkryetar i komisionit.

“E konsideroj këtë Sekretin tregtar si një nga gjërat më negative të botës, se nuk është shqiptare. Pse marrëveshja është konfidenciale?”, pyeti Koçi.

“Konfidencialiteti qëndron vetëm për aspektet ekonomike të cilat janë të qartësuara në detajet e qindarkës, në planin e biznesit. Plani i biznesit është një marrëveshje që patjetër që ka kaluar në një sërë, negocimesh dhe patjetër që ka kaluar në një sërë rishikimesh e vendimmarrjet nga institucionet shtetërore. Dhe plani i biznesit është për ne një element kyç që ka mundësinë e konifidencilitetit për sa kohë aty kemi një marrëveshje në formën e grantit dhe operacionalitetin e tij në territorit.”, pohoi ministrja.

Ndërsa ishte pyetur pse kontrata nuk bëhej publike, ministrja, u shpreh se plani i biznesit mund të keqinterepretohej në komisionet e kuvendit të Shqipërisë.

“Nuk do të doja vetëm që të keqinterepretoheshin të gjitha elementet e parashikuara në planin e biznesit, në këto komisione, për sa kohë që ministria ka gjithë tagrin, të drejtën e detyrimin të rishohë ecurinë e planit të biznesit, të marrë masa përmes organeve kompetente. Ministria është pjesë e bordit, dhe pjesë e një sistemi më të gjerë auditi për mirëmenaxhimin e sitit dhe për ecurinë e këtij plani biznesi.”, tha Margariti.

Pavarësisht termave sekrete apo konfiedencialë, Ministria e Kulturës po përballet me kritika të forta për Butrintin ndërsa shqyrtimi i projektligjit për menaxhimin e Butrintit po bëhet pa pasur akses në marrëveshjen e plotë.