Marrëveshja Turqi-Rusi funksionon, nis tërheqja e armëve të rënda nga vija e frontit në Idlib

“Në kuadër të Marrëveshjes së Soçit, opozitarët ushtarakë filluan të nxjerrin armët e rënda jashtë vijës së fronit në Idlib”, ka deklaruar një zëdhënës i opozitës së armatosur siriane...

Opozitarët ushtarakë sirianë kanë filluar tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit në Idlib, siç parashikohet në marrëveshjen e arritur në Soçi ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.

“Në kuadër të Marrëveshjes së Soçit, opozitarët ushtarakë filluan të nxjerrin armët e rënda jashtë vijës së fronit në Idlib”, ka deklaruar Naji Mustafa, zëdhënës i Frontit Kombëtar për Çlirimin e Sirisë, një ndër grupet përbërëse të Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA).

“Tërheqja e armëve të rënda po realizohet nën koordinimin e autoriteteve turke”, ka shtuar ai duke theksuar se në vijën e frontit do të qëndrojnë armët e lehta dhe do të vazhdojë puna për hapjen e llogoreve dhe hendekëve si masë kundër sulmeve të mundshme të regjimit të Esadit.

Pas propozimit të bërë nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan në Teheran, më datë 4 shtator, kreu i shtetit turk dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, ranë dakord në Soçi, më 17 shtator, për të marrë masa shtesë në lidhje me ruajtjen dhe konsolidimin e armëpushimit në Idlib të Sirisë.

Marrëveshja në fjalë parashikon formimin e një zone të çmilitarizuar me një perimetër 15-20 km deri më datë 15 tetor, inspektimi dhe kontrolli i së cilës do të bëhet nga ushtarët turq e rusë.

Opozitarët ushtarakë, grupi Hayat Tahrir al-Sham, trupat e regjimit dhe grupet terroriste të huaja mbështetëse të tij duhet të nxjerrin armët e rënda jashtë zonës së çmilitarizuar, thellësia e së cilës do të përcaktohet sipas kushteve gjeografike.

Palët që do të largohen nga kjo zonë bashkë me armët e rënda të tyre, do të vazhdojnë të mbrojnë vetë kufijtë e hapësirave që mbajnë nën kontroll.

Dy vendet garantuese, Turqia dhe Rusia, do të realizojnë patrullime të koordinuara në zonën e çmilitarizuar që kanë si përgjegjësi./TRT