Marrëveshja për emrin e Maqedonisë është gati mes Shkupit dhe Athinës

Athina dhe Shkupi janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për të zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen e emrit të ish republikës jugosllave.

Kështu deklaroi të martën një zyrtarë i qeverisë greke për “Reuters”. Rreshti ka bllokuar shpresat e shteteve të vogla të Ballkanit, për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Greqia dhe Maqedonia janë në garë me kohën për përfundimin e negociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin, me qëllim që të mbërrihet Samiti i BE-së në fund të këtij muaji shkruan gazeta greke ‘Kathimerini’.

Gazeta greke shkruan se 95% të negociatave janë kompletuar dhe se mbeten disa detaje të rëndësishme para se marrëveshja të jetë e gatshme.

Në qoftë se zhvillohet sipas planit, marrëveshja duhet të vendoset në Kuvendin e Maqedonisë para Samitit të BE-së, ndërsa në referendum, sipas të gjitha gjasave në muajin shtator, transmeton Telegrafi.Nëse marrëveshja ratifikohet në Kuvend, atëherë Athina, si pjesë e marrëveshjes mes dy palëve, do të dërgojë letër deri te BE dhe NATO për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë drejt këtyre strukturave.

“Letra greke do të jetë në lidhje me emrin e dakorduar, Republika Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Epërme ose ndonjë emër i tretë që do të dakordohet. Nëse marrëveshja merr votë pozitive në referendum, atëherë do të hapet rruga për rishikim të Kushtetutës së IJRM, kërkesë kyçe e Greqisë.

Në qoftë se referendumi nuk është i suksesshëm, dështon marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës”, shkruan ‘Kathimerini’.

Të dyja palët kanë synuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes përpara një samiti të BE-së, në fund të qershorit. Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev pritet të diskutojnë këtë çështje përmes një telefonate ditën e sotme.

“Një marrëveshje mund të shpallet edhe sot”, tha një zyrtar i qeverisë greke, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.