Marrëveshja e mundshme BE-Shqipëri për refugjatët mund të mbaje Merkelin në pushtet

Sipas medias gjermane, një marrëveshje e mundshme mes Brukselit dhe Tiranës do të mbante kancelaren Merkel në pushtet.

DW (Dojçe Velle) duke cituar një zëdhënës të qeverisë austriake, shkruan se BE është në negociata me Shqipërinë për hapjen e qëndrave të pritjeve për azilkërkuesit. Sipas medias gjermane, një marrëveshje e mundshme mes Brukselit dhe Tiranës do të mbante kancelaren Merkel në pushtet.

Media gjermane Dojçe Vele ka publikuar një analizë lidhur me tentativat e Bashkimit Europian për të ndërtuar kampe refugjatësh jashtë kufijve të vendeve anëtare. Sipas kësaj media, një marrëveshje e mundshme mes Unionit dhe Shqipërisë për këtë çështje do të ndihmonte shumë kancelaren gjermane, Angela Merkel. “Shqipëria është e hapur për të ndërtuar qendra pritjeje për individë që kërkojnë azil në BE”, shkruan Dojçe Vele. Më pas nënvizon se me një akord të tillë, Merkel qëndron në pushtet dhe zgjidh mosmarrëveshjet me partnerin e koalicionit Horst Seehofer, i cili mban dhe postin e ministrit të brendshëm dhe mbështet një linjë të ashpër kundër emigrantëve. Lideri I Unionit Kristian Social ka dhënë I pari idenë e kampeve për refugjatët jashtë kufijve të BE-së.

“Shqipëria mund të pranojë të shërbejë si një vend pritës i përkohshëm për azilkërkuesit që drejtohen për në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe kancelari austriak Sebastian Kurz kohët e fundit sugjeruan vendosjen e qendrave të pritjes brenda Evropës, edhe pse jashtë territorit të BE”, thekson Dojçe Vele. Gjithashtu citon zëdhënësin i qeverisë austriake, i cili pohon se bisedimet rreth qendrave të tilla janë në fakt në zhvillim e sipër me Shqipërinë dhe vendet e tjera. Por Endri Fuga, i cili këshillon Kryeministrin Edi Rama dhe kryeson departamentin e komunikimit të qeverisë, mohoi zhvillimin e këtyre negociatave. Dojçe Vele shkruan se Shqipëria është në një pozitë të favorshme gjeografike për të pritur emigrantët. Madje për këtë thotë se ka pasur edhe një eksperiencë në 1999-ën, kur priti rreth 1 milionë refugjatë nga Kosova.

Ndërkohë, Dojçe Vele shkruan se ministri shqiptar i mbrojtjes, Fatmir Xhafa po zhvillon vizita në shumë vende të Unionit për të diskutuar pikërisht lidhur me emigrantët. Media gjermane nënvizon se me pranimin e kampeve për refugjatët, Shqipëria do të përfitojë shumë nga BE.