Para disa vitesh, një marrëveshje e re me Greqinë mbi kufizimin e zonave detare ishte tabu, ndërsa sot qëndrimet dypalëshe Shqipëri-Greqi janë përafruar.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashme, Ditmir Bushati ka shpjeguar se qeveria shqiptare ka hedhur disa hapa të rëndësishme lidhur me marrëdhëniet me shtetin grek, raporton ATSH.
“Besoj se kemi hedhur disa hapa përpara. Deri para pak vitesh konsiderohej tabu të uleshim dhe të diskutonim për një marrëveshje të re, të kufizimit të zonave detare. Sot jemi në mesin e këtij procesi dhe një pune voluminoze. Deri para pak vitesh mohohej ekzistenca e ‘Ligjit të Luftës’ nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë. Sot për sot kemi një diskutim të qenësishëm jo vetëm për shfuqizimin e ‘Ligjit të Luftës’, por edhe pasojat kryesisht ligjore që vijnë”, – ka thënë Bushati.
Lidhur me “çështjen çame”, ministri ka shpjeguar se, “në 2013 për herë të parë në programin e një qeverie është përfshirë ‘çështja çame’, si pjesë e programit të politikës së jashtme. Që do të thotë, e gjithë loja e luajtur në kurriz të kësaj çështje, sidomos nga qeveritë e kaluara, është mbyllur njëherë e mirë me përfshirjen e kësaj çështje si pjesë e programit të politikës së jashtme”.
Edhe pse në një proces intensiv të nisur me Greqinë prej gati dy vitesh, vendi ynë, sipas Bushatit, mbetet i palëkundur në disa qëndrime lidhur me konceptimin e “çështjes çame”.
“Pjesa e parë, lidhur me qëndrimin tonë është i palëkundur dhe në lidhje me mënyrë se si ne e kemi konceptuar adresimin e ‘çështjes çame’, duke vendosur linjat e kuqe që kanë të bëjnë më integritetin territorial të Greqisë, me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me të drejtën për të përkujtuar aspekte të ndryshme të historisë për ‘çështjen çame’ dhe të drejtën e pronësisë”.
Bushati ka vënë në dukje se ka pasur shumë çështje të tjera për të cilat Greqia dhe Shqipëria ka pasur konceptime të ndryshme, por falë vullnetit dhe punës mes dy palëve janë përafruar qëndrimet.
“Unë mund t’ju them se edhe për çështje të tjera kemi pasur situata të konceptuara ndryshme, por me vullnet, me bisedime dhe me punë, palët kanë arritur të përafrojnë qëndrimet e tyre”, – ka thënë ministri nga Uashingtoni, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.