Numri i të vdekurve nga tërmeti vdekjeprurës në Marok është rritur në të paktën 2.681, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Brendshme e Marokut njoftoi se gjithashtu të paktën 2.501 persona të tjerë janë plagosur nga tërmeti me magnitudë 7 që goditi vendin të premten vonë.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) tha se epiqendra e tërmetit, që tronditi vendin pak pas orës 23:00 sipas kohës lokale, ishte 75 kilometra në jugperëndim të qytetit Marrakesh në një thellësi prej 18.5 kilometrash.
Nga tërmeti vdekjeprurës u raportuan dëme masive në Marrakesh, një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Ekipet e shpëtimit vazhduan edhe gjatë ditës së sotme kërkimin e personave të zhdukur apo të bllokuar nën rrënoja për të katërtën ditë pas tërmetit shkatërrues.
Sipas reporterit të Anadolu-t, shumë njerëz u nxorën nga ekipet e shpëtimit nga nën rrënojat e ndërtesave të shembura në zona të ndryshme të goditura nga tërmeti.
Disa ekipe të huaja të shpëtimit kanë mbërritur tashmë në vend për t’u bashkuar me përpjekjet e shpëtimit për të mbijetuarit.
Maroku deri më tani ka pranuar oferta ndihmë nga Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dje, qeveria marokene hapi një llogari të veçantë me Bankën e Marokut për të marrë donacione për viktimat e tërmetit.
Sipas Institutit Gjeofizik të Marokut, tërmeti ishte më i fuqishme që goditi vendin e Afrikës Veriore në shekullin e fundit.